Kthehu lart

Musliu: Kryeprokurori Lumezi e ka falsifikuar provimin, por ai do t’i bllokojë hetimet

Musliu: Kryeprokurori Lumezi e ka falsifikuar provimin, por ai do t’i bllokojë hetimet GazetaExpress

​Betim Musliu, autor i hulumtimit të dosjes së provimit të Jurisprudencës të Kryeprokurorit të Shtetit, thotë se më nuk ka asnjë dilemë se Aleksandër Lumezi ka falsifikuar provimin, i cili verifikon aftësitë teorike dhe praktike të juristëve për ushtrimin e detyrës. Musliu që drejton edhe Institutin Kosovar për Drejtësi, thotë se Kryeprokurori Lumezi mund të ndërhyjë edhe në hetimin e këtij rasti, pasi, sipas tij, “Kryeprokurori në këtë drejtim e ka dëshmuar veten”, duke iu referuar hetimeve për pretendimet e një prokurori të EULEX-it se Lumezi është i përfshirë në dyshimet për vrasje. 

Musliu duke folur të mërkurën për Gazetën Express, disa orë para publikimit të hulumtimit të tij në emisionin “Betimi për Drejtësi” në RTK, ka treguar për detajet e, siç thotë ai, “ndërhyrjes me llak” në dosjen e kryeprokurorit Lumezi. 

Sipas të gjeturave të tij, në Arkivin e Shtetit emri i Lumezit është i shënuar mbi emrin Zymber Krasniqi, të cilit i takon në të vërtetë dosja e jurisprudencës. 

“Absolutisht nuk e kam asnjë dilemë se komplet dosja e provimit të jurisprudencës e Aleksandër Lumezit është në tërësi e manipuluar”, ka thënë Musliu.  

Sipas tij, tash pasi ka dëshmi për manipulimin e provimit të Jurisprudencës të Kryeprokurorit kosovar të Shtetit, pretendime të cilat së pari i nisi ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani, Aleksandër Lumezi duhet të dorëhiqet, ose në rast se nuk e bën ai vetë atëherë Këshilli Prokurorial duhet ta kërkojë largimin e tij.

“[...] atëherë dyshoj se edhe ky skandal i dosjes së manipuluar do të mbyllet sikur 90 % e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë”, ka thënë gazetari Musliu. 

Lexojeni të plotë intervistën me Betim Musliu, autor i hulumtimit të dosjes së Lumezit: 

Express: Çka keni gjetur gjatë hulumtimit të dosjes së jurisprudencës së Kryeprokurorit Lumezi? 

Betim Musliu: Pretendimet e Enver Hasanit për falsifikimin e dosjes së provimit të jurisprudencës të Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, na kanë shtyrë që ta zhvillojmë një hulumtim të thellë për ta zbardhur të vërtetën, të cilin e kemi zhvilluar në bashkëpunim me KTV-në. Gjetjet e hulumtimit dëshmojnë se dosja e Kryeprokurorit të Shtetit në tërësi është e manipuluar. Hulumtimi dëshmon se asnjë e dhënë në dokumentet kyçe të dhënies së provimit të jurisprudencës në të gjitha fazat, nuk përputhet në rastin e Kryeprokurorit Lumezi. Në fakt, dosja e Lumezit është ndërtuar mbi një dosje tjetër, të cilën e kemi zbuluar se i takon Zymer Krasniqit nga Deçani. Mbi dosjen e Krasniqit është ndërhyrë me llak dhe është ndërtuar dosja e Kryeprokurorit Lumezi. Kemi gjetur manipulime të shumta, të cilat dëshmohen përmes gabimeve, të cilat vërtetojnë se personat që kanë bërë ndërhyrje nuk kanë qenë të vëmendshëm që ato t’i kryejnë në mënyrë të njëjtë. Gjithashtu, Aleksandër Lumezi në dokumentet kyçe, të cilat janë të ndryshme dhe që i takojnë provimit të jurisprudencës, figuron si emër mbi dosjen e Zymer Krasniqit, madje herë si Aleksandar Lumezi dhe herë si Aleksandar Ljumezi, herë në shkronja latine e herë në cirilike. Ka edhe gjetje tjera më skandaloze të këtij hulumtimi, i cili dëshmon manipulimin e dosjes së Aleksandër Lumezit në tërësi, por të cilat do të zbulohen më gjerësisht sonte në RTK në emisionin “Betimi për Drejtësi”. 

Ju si hulumtues, a keni më dilema se jurisprudenca e Lumezit është e manipuluar? 

Musliu: Absolutisht nuk e kam asnjë dilemë se komplet dosja e provimit të jurisprudencës së Aleksandër Lumezit është në tërësi e manipuluar. Në fakt është dosje e ndërtuar mbi dosjen e kandidatit Zymer Krasniqi nga Deçani.

A keni arritur ta dëshmoni falsifikimin e këtij provimi? 

Hulumtimi dëshmon me argumente, pothuajse, matematikore që dosja e provimit të jurisprudencës së Aleksandër Lumezit është në tërësi e manipuluar.

Sa ka zgjatur hulumtimi juaj në Arkiv të Kosovës? 

Hulumtimi i thellë, sidomos në dhjetëra dosje të Arkivit, ka filluar pas publikimit të akuzave të Enver Hasanit, pra një javë intensive të hulumtimit.

A keni pasur ndonjë pengesë për ta kryer hulumtimin? 

Deri më tash nuk ka pasur ndonjë pengesë nga askush.

A keni komunikuar me Lumezin ose me zyrën e tij për t’ua sqaruar këto pretendime? 

Kemi kërkuar ta intervistojmë Kryeprokurorin Lumezi, duke e njoftuar pikërisht për këtë temë specifike, por nuk ka kthyer përgjigje. Kemi insistuar edhe pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Prokurorial të martën ta intervistojmë, por sërish ka refuzuar me arsyetimin se gjithçka që ka pasur e ka thënë përmes një reagimi publik. Ne jemi të hapur gjithmonë ta intervistojmë Kryeprokurorin Lumezi për ta ballafaquar me gjetjet e hulumtimit tonë, të cilat janë 1 milion % të sakta. Për kuriozitet, Kryeprokurori Lumezi me dhjetëra herë është ftuar nga “Betimi për Drejtësi” për t’u intervistuar, por që nga ardhja në pozitë e Kryeprokurorit nuk ka pranuar të ballafaqohet.

A duhet të japë dorëheqje Kryeprokurori Lumezi? 

Vlerësoj se pozita e Kryeprokurorit të Shtetit është ndër pozitat më të rëndësishme në Kosovë.  Kompetencat e Prokurorit të Shtetit që udhëhiqet nga Kryeprokurori i Shtetit përfshijnë hetimin dhe ndjekjen e kryesve të të gjitha veprave penale. Pozita e tij si Kryeprokuror, padyshim se në një shoqëri demokratike ku zbatohen standardet minimale të qeverisjes së mirë, kërkon që të udhëhiqet nga një person që ka kredibilitet dhe personalitet të pakontestuar. Në këtë drejtim, Kryeprokurori Lumezi duhet seriozisht të shqyrtojë gjithë këto rrethana me qëllim të ruajtjes së imazhit dhe kredibilitetit jo vetëm të sistemit prokurorial, sistemit të drejtësisë por edhe Republikës së Kosovës.  

Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet që në pajtim me kompetencat dhe përgjegjësitë që ia jep Kushtetuta dhe Ligji për Këshillin Prokurorial ta trajtojë urgjentisht këtë çështje dhe të marrë vendim, përmes mekanizmave të sistemit prokurorial, që në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe profesionale të sigurohet që ky rast do të hetohet në përputhje me ligjin. Personalisht, besoj se nëse nuk do të ketë krijim të një trupe të pavarur për hetim të këtij rasti, i cili do të përbëhet nga shumica e anëtarëve që duhet të jenë nga bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht amerikanë, britanikë dhe gjermanë, atëherë dyshoj se edhe ky skandal i dosjes së manipuluar do të mbyllet sikur 90 % e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë.   

Kush duhet ta hetojë këtë rast, duke pasur parasysh së Lumezi është në krye të Prokurorisë së Shtetit? 

Hetimi dhe ndjekja penale lidhur me çdo rast, duhet të bazohen në fakte dhe dëshmi si rezultat i një procesi të pavarur dhe të pandikuar. Gjatë hulumtimit në bazë të dokumentacionit të ofruar në Arkivin e Kosovës, kemi gjetur dëshmi se dosja është në tërësi e manipuluar. Kjo është më shumë se e mjaftueshme që prokurorët ta marrin nën llupë ndjekjen e këtij rasti dhe rasteve të tjera të dosjeve të manipuluara që ndërlidhen me provimin e jurisprudencës. Me gjasë ky skandal do të ketë përmasa të mëdha, sepse manipulimet nuk ndalen me dosjen e Kryeprokurorit Lumezi. Çdo vendim lidhur me këtë çështje duhet të përçojë te publiku besim, se ligji është i barabartë dhe zbatohen si i tillë për të gjithë.

A mund të ndikojë Lumezi në hetimin e rastit të tij?

Absolutisht, Kryeprokurori Lumezi në këtë drejtim e ka dëshmuar veten. Kryeprokurori Lumezi ka ndërruar prokurorë në ekipin hetimor për rastin e hetimeve, në të cilat ishin ngritur dyshime edhe në publik përmes letrës së prokurorit ndërkombëtar Heiki Wendorf, se edhe Lumezi dyshohej se ishte përfshirë në kryerje të veprave të rënda penale. Madje, ky kishte qenë vendimi i parë që kishte marrë pas një jave në cilësinë e Kryeprokurorit të Shtetit. Pra, këtu duhet të krijohet një ekip hetimor, i cili duhet të udhëhiqet nga bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht nga amerikanët, britanikët dhe gjermanët, sepse kjo përbën një ndër skandalet më të mëdha pas përfundimit të luftës, në sistemin e drejtësisë në Kosovë. /M.Gj./GazetaExpress/. 

    Data: 25 Tetor 2017 15:08
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera