Kthehu lart

Ministri Tahiri: Ndryshimet në Kodin Penal, do hapin një front të ri në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

Ministri Tahiri: Ndryshimet në Kodin Penal, do hapin një front të ri në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar GazetaExpress

Minitsri i Drejtësisë, Abelard Tahiri që nga marrja e këtij posti ka vlerësuar se një prej prioriteteve kryesore në fushën e drejtësisë është rishikimi i Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale. Ndryshime të cilat tashmë kanë ndodhur, ku të përfshirë kanë qenë gjyqtarët, prokurorët, profesorët, përfaqësues nga shoqëria civile, si dhe ekspertë ndërkombëtar.

“Nga propozimet për ta ndryshuar Kodin Penal të Kosovës vihen në pah tri (3) çështje kryesore: e para, Kosova gradualisht po bën  përparime serioze në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit; e dyta, Kosova është duke avancuar sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut në nivelet më përparimtare jo vetëm krahasuar me rajonin por edhe me gjerë; si dhe shtylla e tretë, përmes ndryshimeve të bëra, Kosova do të jetë në krye të luftës kundër terrorizmit me standardet më të larta në rang global”, thotë Tahiri në një intervistë me shkrim.

Tahiri pret që aprovimi i dy kodeve të kryhet brenda gjashtë mujorit të parë.

Ministër, që nga ardhja juaj në krye të Ministrisë së Drejtësisë keni deklaruar se njëri nga prioritetet do të jetë rishikimi i Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, ku ndodhet aktualisht ky proces?

Ministri Tahiri: Është e vërtetë se ndër prioritetet themelore në rrafshin legjislativ ka qenë rishikimi i Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, dhe në këtë proces të vlerësuar si më transparentin deri më tani, kanë qenë të përfshirë të gjithë akterët relevant vendor e ndërkombëtar, përfshirë gjyqtarë, prokurorë, profesorë, përfaqësues nga shoqëria civile, si dhe ekspertë ndërkombëtar nga partnerët tanë zhvillimor dhe strategjik.

Grupi punues tashmë e ka përfunduar punën në draftimin e Kodit penal, të cilin unë e kam pranuar në muajin dhjetor të vitit të kaluar, dhe ky draft tashmë është duke u vlerësuar në lidhje me atë sesa është në pajtim me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Duke u bazuar në rëndësinë që ka ky kod, përfaqësues të Bashkimit Evropian, kanë kërkuar afat shtesë për të bërë vlerësimin e Kodit, përkatësisht ndryshimeve të propozuara. Sapo ta kemi vlerësimin e këtij drafti, do ta dërgojmë për konsultime shtesë me publikun, si dhe më pas do ta procedojmë për aprovim në Qeveri, e më pas në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Pas vlerësimeve të përputhshmërisë me normat dhe standardet e BE-së, jam shumë i bindur se do ofrojmë një kod modern dhe të avancuar, i cili mbi të gjitha reflekton nevojën për t’i avancuar disa nga çështjet e vlerësuara të domosdoshme për t’u ndryshuar nga ana e organeve ligj zbatuese, me qëllim që këtyre organeve t’u mundësohet që puna e tyre të jetë sa më efikase dhe efektive në drejtim të parandalimit dhe luftimit të veprave penale.

Po ashtu puna do të filloj edhe me draftimin e Kodit të Procedurës Penale, është caktuar takimi i grupit punues i cili do të mbahet në mes të muajit janar. Edhe hartimi i këtij Kodi do të jetë gjithëpërfshirës dhe do t’i nënshtrohet një agjende të ngjeshur të debateve, në mënyrë që nga kjo gjithëpërfshirje, nga ky konsensus i përbashkët që do arrihet, të kemi dy Kode komplementare, përmbajtja e të cilave do të sigurojë sundim të ligjit dhe efikasitet më të shprehur të sistemit të drejtësisë.

Ministër, a mund të na njoftoni me ndryshimet kryesore të Kodit Penal?

Ministri Tahiri:  Krahas amendamenteve të shumta teknike, përmes të cilave do t’u lehtësohet puna  gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës së Kosovës, nga propozimet për ta ndryshuar Kodin Penal të Kosovës vihen në pah tri (3) çështje kryesore: e para, Kosova gradualisht po bën  përparime serioze në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit; e dyta, Kosova është duke avancuar sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut në nivelet më përparimtare jo vetëm krahasuar me rajonin por edhe me gjerë; si dhe shtylla e tretë, përmes ndryshimeve të bëra, Kosova do të jetë në krye të luftës kundër terrorizmit me standardet më të larta në rang global.

Janë bërë ndërhyrje në nëntëmbëdhjetë nene, në kuadër të veprave penale të krimit të organizuar, për të mundësuar ndjekjen e aktivitetit të identifikuar kriminal kur ndodh në kontekst të krimit të organizuar. Këto nene mbulojnë një sërë aktivitetesh, nga kontrabandimi e shkretimi i pyjeve e deri te mashtrimi dhe prodhimi i produkteve të dëmshme.

Amendamentet e reja ia ndalojnë personit zyrtar ushtrimin e funksionit në administratën publike apo në shërbimin publik deri në 10 vjet nga aktgjykimi dënues. Kjo çështje është pjesë e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim. Kjo dispozitë parasheh kur zyrtari publik të dënohet për vepër penale të korrupsionit, atij t’i ndalohet ushtrimi i funksioneve në shërbim publik deri në dhjetë vjet. Përveç kësaj, amendamentimi gjithashtu ia pamundëson personit i cili punon me fëmijë që të punësohet në fusha ku përfshihen fëmijët. Natyrisht se ky amendament është përfshirë për të mbrojtur fëmijët.

Dënimet për vepra penale që ndërlidhen me korrupsion janë bërë kumulative në vend të atyre alternative siç kanë qenë dhe aty ku ka qenë e përshtatshme, në nenet e caktuara është rritur dënimi për vepra të caktuara të korrupsionit publik dhe janë hequr dënimet alternative. Asnjë person i dënuar për vepra penale të korrupsionit nuk do të merr dënim të butë. Propozimet tona janë që dënimet minimale të rriten nga 6 muaj në një vit, ndërsa dënimet maksimale janë rritur nga 5 vite sa është aktualisht në 8 vite të plota.

Përveç kësaj, në kuadër të veprave penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar, kemi propozuar edhe një nen të ri, që sanksionon dënimet me gjobë dhe burgim efektiv, nga 3 deri në 10 vite, për çdo vepër përfitimi apo dëmi që tejkalon vlerën prej 5,000 Eurosh. Këto ndryshime në Kodin Penal, do hapin një front të ri në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ashpërsimi kundër këtyre dukurive, reflekton përkushtimin tim të palëkundur për të ndërtuar një infrastrukturë ligjore që mundëson luftimin e pa kompromis ndaj tyre, duke kontribuar kështu edhe në parandalimin e tyre si dhe kontributin për institucione publike të përgjegjshme dhe në përputhje me rendin demokratik dhe pritjet e qytetarëve.

Po ashtu janë futur dy nene të reja për të trajtuar terroristët të cilët e vjedhin apo përdorin identitetin e personit tjetër apo përdorin informatat e llogarisë së personit tjetër, apo udhëtojnë jashtë Kosovës me qëllim të kryerjes së veprimtarive terroriste.  Neni i ri për udhëtim në lidhje me terrorizmin ka qenë si reagim i drejtpërdrejt ndaj Direktivës së Marsit 2017. Ky ndryshim, do t’ia mundësoj Kosovës që drejtpërsëdrejti t’i ndjek terroristët që e përdorin Kosovën si transit dhe do t’i ndihmoj shteteve të huaja në ndjekjen e tyre.

Po ashtu edhe ndërtimet pa leje janë paraparë si vepra penale, kjo për të ndaluar degradimin e ambientit, është obligim që parashihet në strategjinë kombëtare për të drejtat pronësore, dhe po ashtu si të tilla këtë mbrojtje e kanë edhe pjesa dërmuese e  Kodeve penale të vendeve të rajonit.

Ministër, e përmendët çështjen e suspendimit të zyrtarëve publik, çështje e cila ka hasur edhe në diskutime nga ana e shoqërisë civile por edhe në rrethin e politikë bërësve, si një masë që shkel të drejtat e njeriut. A nuk shkel kjo prezumimin e pafajësisë?

Ministri Tahiri:   Jo, nuk e shkelë këtë prezumim. Dua të sqaroj se kemi të bëjmë me dy situata, dhe atë me rastin e ngritjes së aktakuzës për vepra penale të korrupsionit dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare, zyrtarët publik do të suspendohen nga puna, pra kemi të bëjmë me vepra penale që keqpërdoret pozita apo autoriteti zyrtarë, dhe përmes suspendimit të cilin e bënë gjykata, organeve ligj zbatuese veçmas prokurorisë do t’i mundësohet kryerja e punës në mënyrë të papenguar,  si dhe rasti apo situata e dytë është nëse këta persona do të shpallen fajtor, të njëjtit krahas çfarëdo dënimi tjetër, gjykata do t’i shqiptoj dënimin e ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë apo funksionit në administratë deri në 10 vite.

Jam përkujdesur të merren parasysh edhe praktikat e avancuara. Natyrisht se jemi të vetëdijshëm se stërzgjatja e proceseve gjyqësore është një dukuri prezentë në sistemin tonë, por për këtë çështje kemi dhe vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila konstaton se edhe në rastet kur ka zvarritje eventuale të procedurave, gjykata qartë e thotë se suspendimi i bërë në pajtim me ligj nuk bie ndesh me konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, rasti ECHR 313 (2012), 24.07.2012, Bullgari.

Çfarë keni bërë për konfiskimin e pasurive dhe dobisë pasurore të përfituar në mënyrë të kundërligjshme?

Ministri Tahiri :  Konfiskimi i pasurisë aktualisht rregullohet me dy ligje dhe atë me Kodin e Procedurës Penale dhe Ligji për Kompetencat e Zgjeruara të Konfiskimit të pasurisë së përfituar me vepra penale.

Të dyja këto ligje aktualisht janë duke u shqyrtuar. Asnjëherë nuk është propozuar që të futen në Kod Penal. Andaj, ne do t’i shohim këto ndryshime së shpejti. Megjithatë, pres që ndryshimet e këtyre dy ligjeve të bëhen së bashku me ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale.

Është parim i së drejtës penale se asnjë person nuk mund të përfitojë nga veprimet e tij të paligjshme. Ne do të shqyrtojmë të gjitha opsionet për të konfiskuar pasuritë e  fituara kundërligjshëm. Në fakt, unë kam paraparë në plan të punës të Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2018 Koncept Dokumentin për ta rishikuar Ligjin për  Kompetencat e Zgjeruara të Konfiskimit të Pasurisë dhe jam shumë i interesuar të njihem me propozimet nga rrethi i ekspertëve, shoqërisë civile dhe qytetarëve.

 Por para së të propozoj masa të caktuara në fushën e konfiskimit, qoftë konfiskim penal apo civil, dua që fillimisht ta përcaktoj qartë procedurën në fushën e konfiskimit penal. Në këtë mënyrë, çfarëdo zhvillimi i mëvonshëm do ta ketë një model racional dhe efektiv për konfiskimin e pasurive.

Kur do të përfundojë ky proces?

Kodin penal jam shumë optimist që në muajin shkurt ta dërgoj për aprovim në Qeveri, dhe më pas për në Kuvend. Gjatë kësaj kohe, me po kaq intensitet dhe përkushtim sa është punuar në Kodin Penal, do të punojmë edhe në Kodin e Procedurës Penale, dhe  besoj se deri në fund të muajit mars do të përfundohet puna në draftimin e Kodit të Procedurës Penale.

Do të isha shumë i lumtur nëse të dyja këto kode Kuvendi do të arrijë t’i miratojë brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti, në mënyrë që gjyqtarët dhe prokurorët, por dhe organet tjera ligj zbatuese të kenë kohë të mjaftueshme që të mund të përgatiten për të filluar punën me kode të reja nga janari i vitit 2019.

    Data: 06 Janar 2018 17:01
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera