Kthehu lart

Michael Dobbs: Margaret Thatcher ma zbuloi pushtetin

Michael Dobbs: Margaret Thatcher ma zbuloi pushtetin GazetaExpress

Intervistë me Michael Dobbs, shkrimtarin që ka krijuar trilogjinë “House of Cards”. Michael Dobbs, si krahu i djathtë i Zonjës së Hekurt, ka frekuentuar korridorët më të errët të politikës

Çdo karrierë udhëheqësi përfundon në një dështim. Thjeshtë nuk e kuptojnë se “kur është momenti për të dalë nga skena. Në menaxhimin e pushtetit, çdo gjë është e përsëritur: nuk ka asnjëherë, asgjë që mund të befasojë ata që kanë eksperiencë”. Distilon urtësi politike Michael Dobbs. E njëjta që protagonisti i serisë televizive, House of Cards (luajtur nga Kevin Spacey), sugjeron duke iu drejtuar publikut: “Lidershipi i sotëm është i gjithi ‘menaxherial’. Menaxhon konsensusin. Shumë ndryshe nga ajo që përjetoja 30 vjet më parë, në krah të Margaret Thatcherit: ajo vendoste dhe më pas luftonte. Dhe dinte si ta përdorte feminilitetin e saj”. Baroni Dobbs, në Dhomën e Lordëve që prej vitit 2010, ka parë shumë gjëra në krah të Zonjës së Hekurt. Ishte ai që lajmëroi fitoren e parë në vitin 1979. “Në fillime, që nga viti 1975, isha në skuadrën e saj personale (dhe zëvendës kryetar i konservatorëve). Më pas u bëra Shef i Kabinetit, dhe përgjegjësia ime kryesore ishte që të bëja që gjithçka të shkonte në rregull për zgjedhjet e përgjithshme të 1987-ës. Duke bërë llogaritë edhe me disa prej skandaleve të partisë…”
Ndonëse Dobbs thotë se nuk është “mishëruar” veçanërisht në asnjë prej personazheve të tij, gjithçka që ka mësuar në ata vite për pushtetin është e dukshme tek trilogjia “House of Cards”, që fillimisht u shndërrua në një skenar për BBC-në dhe më pas një serial televiziv me sukses planetar, në versionin e vet amerikan.Pasi fitoi zgjedhjet e fundit, Dobbs u largua nga mentorja e tij pas një përplasjeje me shkëndija shumë të forta. Ishte “fati” i tij në një farë kuptimi: politika mbeti në qendër të jetës së tij, por arriti të shfrytëzojë dijen e mekanizmave të nëndheshëm të pushtetit, duke krijuar personazhin Francis Urquhart (FU, në origjinë Fuck You), që në serinë amerikane është bërë Frank Underwood. Mishërimi – me disa tipare shekspiriane – i hijeve të pushtetit. Ai vetë ka thënë dikur për Thatcherin: “Më ka dhënë një vizion të jashtëzakonshëm të qosheve më të pluhurosura të pushtetit”.

Baroni Dobbs, sa shumë ka ndryshuar pushteti që nga koha e Margaret Thatcherit?

Shumë. Mbi të gjitha nga pikëpamja institucionale. Shikoni Britaninë e Madhe: një herë e një kohë, populli e dinte që qeveria britanike ishte përgjegjëse për këtë, apo për atë gjë. Tani? Eshtë parlamenti në Londër, pastaj janë ata në Skoci, në Uells dhe në Irlandën e Veriut. Mbi të gjitha, janë qendrat globale të pushtetit, të lindura me globalizimin. Pastaj janë kompanitë e mëdha shumëkombëshe, me devijimet e shumtë lokalë…

Dhe njerëzit nuk dinë më se kë të fajësojnë për çfarë…

Në atë kohë, e dije me saktësi absolute. Ishte një epokë shumë më e qartë e politikës. Gjërat ndryshuan që me Tony Blairin, i famshëm për “qeverinë e divanëve”: në vend që të merrte vendime përreth tryezës së ministrave, e bënte në shtëpi, me disa miq, ku askush nuk mbante shënime për atë që thuhej. “Qoshet” e pushtetit fillonin të bëheshin më të “pluhurosura”. Dhe demokracia është bërë më pak demokratike… Por, nëse në fund të fundit, pushteti është njerëzit që e ushtrojnë, është edhe vetë natyra e politikës që ndryshon. 30 vjet më parë, dallimet ishin ideologjikë. Ishte lufta e ftohtë, dhe temat në tryezë ishin ato të dekadave të mëhershme. Sot, dallimet mes partive janë më të zbehura. Dhe personalitetet janë më pak të fortë se një herë e një kohë.

Më pak të fortë?

Po. Sot do të ishte më e vështirë për një personalitet me forcën e Margaret Thatcherit që të mbërrinte në komandë. Ajo ishte një politikane që besonte ne përplasjen, më shumë se sa në konsensusin, gjë që është kryefjala e politikanëve të sotëm. Atëherë mjaftonte të thoshte: unë besoj në këtë gjë, më ndiqni nëse doni. Sot ka kërkesa të tjera. Eshtë më e vështirë të mbetesh vetvetja. Politika është “menaxhim”, janë liderët që pyesin votuesit: “çfarë doni?” dhe më pas veprojnë sipas përgjigjes.

Çfarë kujtoni nga takimi juaj i parë me Margaret Thatcher-in?

Ishte viti 1975, ajo ishte atëherë në krye të opozitës, dhe unë përgatisja informacionet për të. Askush nuk e njihte mirë, por që atëherë shkaktonte frikë, edhe sepse vepronte duke ndjekur rregulla të ndryshme nga të tjerët. Eshtë e vështirë të përshkruash këdo, në një ide të vetme, aq më shumë atë. Por nëse do të provonim ta bënim, mund të kujtojmë objektivin parësor të veprimeve të saj: donte të sprapste baticën socialiste, dhe nëse ishte e mundur ta asgjësonte. Britania e Madhe, që nga viti 1945 ishte udhëhequr dhe qeverisur pak a shumë nga forca të majta: kur kish patur një qeveri konservatore, ajo kishte mundur vetëm të ngadalësonte baticën socialiste. Pas saj, partia laburiste duke filluar nga Tony Blairi është shumë e ndryshme nga ajo me të cilën luftoi Thatcheri. E shkatërroi, e detyroi të bëhet më “parlamentare” dhe “demokratike”. 


Cili është mësimi më i madh që keni nxjerrë duke qenë përkrah saj?

Fakti që ndonjëherë idetë janë më të forta se sa ambiciet. Nëse beson fort në diçka, mund të arrish deri aty sa të luash karrierën, pa u ndalur duke i thënë vetes dhe të tjerëve: “Eshtë shumë e vështirë”. Ka rrezikuar disa herë për ato që besonte.

Një deklaratë që meriton ndonjë shembull.

Dy. I pari: Kriza e ishujve Falkland. Margaret ishte praktikisht e vetmja që besonte se Britania e Madhe mundej dhe duhej të mbronte ishujt kundër Argjentinës. Përreth saj, të gjithë thoshin se ishte shumë e vështirë. E mbrojti qëndrimin e saj kundër të gjithëve. Pati forcën të këmbëngulte. Dhe pati të drejtë. E njëjta gjë ndodhi me betejën kundër minatorëve në grevë. Zgjati një vit, ishte një përplasje e dhunshme dhe ekstreme që u kushtoi shumë vuajtje të gjithëve. Por ajo ishte e vendosur të shkonte deri në fund, pavarësisht se ai lloj konflikti social kish bërë të binin shumë qeveri të mëparshme. Ajo e dinte cila mund të ishte kostoja e një dështimi. Por këmbënguli. PERSHTATUR NE SHQIP NGA BOTA.AL
Si arrinte ajo, si grua, të bënte të dëgjohej në një botë aq maskiliste sa ajo e asaj kohe… (Jo se kjo e sotmja është më mirë)? Ju një herë keni kujtuar që, sa herë që ngrihej të fliste në Parlament, kolegët nga njëra anë ulërinin dhe nga ana tjetër e përqeshnin.Nuk e kam dëgjuar pothuajse asnjëherë të ngrejë zërin, aq më pak të flasë fjalë të ndyra, të cilat në fakt i shpëtonin shpesh të shoqit, Denis, një burrë shumë i rëndësishëm për ekuilibrin që i jepte. Por ishte luftarake, dhe argumentonte pa u lodhur. Besonte në betejën e ideve. “Të luftojmë! Të shohim kush fiton”, thoshte. Edhe sepse, kur erdhi në qeveri, kishte vlerat e saj, por nuk dinte si t’i realizonte. “Shiko”, thoshte, “kjo është ajo që dua të bëj. Si mund ta bëj?” Kështu, mbi të gjitha në vitet e parë, hynte në debate pa fund. E donte shumë “dialogun konstruktiv” por ishte e hapur, pyeste bashkëpunëtorët se çfarë mendonin: ishte në gjendje edhe të ndryshonte idenë e saj, kur gjente një më bindëse, edhe pse në vitet e fundit mbeti e mbërthyer fort mbas ideve të veta. Diskutonte kudo: në zyrë, në parlament, në makinë, në shtëpi, por edhe në dhomën e pritjes në kryeministri”. 

“House of Cards”, si librat, ashtu edhe seria e re televizive janë në vetvete shekspiriane? A është më shumë politika aktuale, apo e 30 viteve më parë?

Politika ka qenë gjithmonë manipulim. Që nga kohët e romakëve, të Cezarit, Brutit, Kasiusit, tamam si i ka rrëfyer Shekspiri në dramat e tij. Dhe do të jetë përherë kështu. Pikërisht Jul Cezari, një udhëheqës i madh, u godit për vdekje nga vetë mbështetësit e tij: edhe Margaret Thatcher ka pasur nga ata që do e mbështesnin deri në fund, dhe të tjerë që do të ishin gati ta grushtonin.

“Sekreti i Margaret Thatcherit”, keni shkruajtur ju kur ajo ndërroi jetë, “qëndron në mënyrën se si e kuptoi çfarë do të thoshte të ishe grua në politikë”.

E para kryeministre britanike, ka ditur të veprojë në një mënyrë që ndryshonte nga të tjerët. Ndoqi rregulla të ndryshme nga ato të “klubit mashkullor”. Ua bëri të vështirë të tjerëve të krijonin marrëdhënie me të, një grua e aftë të përdorte forcë. Dhe në sjelljen e saj kishte gjithmonë diçka të papritur. Një grua, në politikë, duhet të demonstrojë që është më e mirë se sa burrat, më e fortë, më e ashpër dhe më e vendosur. Por pasi merr pushtetin, fakti që je grua mund të jetë avantazh.


“Flirtoi” edhe me presidentin Reagan…

Feminiliteti i saj ishte i dukshëm. Arriti të jetë në sintoni me të, kush diti të respektojë faktin që ishte grua. Si François Mitterrand, presidenti socialist i Francës – i kundërti i Margaret: kur erdhi në Londër për ta takuar për herë të parë, shumëkush mendoi se do të ishte një katastrofë ai takim. Por shkuan shumë mirë. Ai e lajkatoi. Në fund, ai tha se ajo kishte “buzët e Marylin Monroe dhe sytë e Kaligulës”.

Si do ia dilte Margaret nëse do të katapultohej në pushtetin e sotëm, mes blogger-ave dhe mediave sociale që janë protagoniste të serive televizive të bazuara mbi librat tuaj?

Si grua e shkencës (ishte diplomuar në kimi) në të gjithë diskutimet politikë aktualë – që nga kursimi i energjisë, tek ndryshimi i klimës – do të kish patur një qasje më rigoroze në analizën politike kundrejt liderëve tanë, që duhet të mësojnë të bëjnë një hap prapa, në krahasim me titujt e gazetave që ulërasin: “bëni diçka”. Sa u përket rrjeteve socialë… Besoj se nuk do i kishte dashur, kaq sipërfaqësorë sa janë, me nevojën për të futur pyetje dhe zgjidhje bashkë brenda vetëm 140 gërmave. Por nga ana tjetër, ajo ishte aq e zonja në zgjedhjen e njerëzve të duhur për përballimin e problemeve të ndryshëm, dhe besoj se në fund do të arrinte t’i menaxhonte edhe ata. /SETTE – Bota.al

    Data: 31 Gusht 2017 11:45
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera