Kthehu lart

Maloku: Babai u vra për Kosovën dhe Kosova ka obligim ta zbardhë vrasjen e tij

Maloku: Babai u vra për Kosovën dhe Kosova ka obligim ta zbardhë vrasjen e tij GazetaExpress

Doruntinë Maloku, deputete e LDK’së dhe vajza e veprimtarit Enver Malokut – i vrarë në një atentat 19 vjet më parë në Prishtinë, ka kërkuar që të zbardhen vrasjet politike. Në një intervistë për Express, ajo thotë se shpreson që Gjykata Speciale do ta trajtojë këtë rast, meqenëse hyn në juridiksionin e saj. Ajo nuk komenton hipotezat se kush mund të jetë vrasësi i babait të saj, pasi sipas saj, kjo është çështje e organeve shtetërore.

Si jeni ndjerë sot si familje, 19 vjet pas vrasjes së Enver Malokut, duke e ditur se ende nuk është zbardhur vrasja e tij?

Maloku: 19 vjet janë tepër shumë për me prit për drejtësi, kemi pritur që këtyre ditëve të fundit, sidomos kur u riaktualizuan shumë vrasjet politike, kemi pritur që Prokuroria e shtetit do të merret seriozisht, jo vetëm me vrasjen e babait tim, po me vrasjet e të gjithë veprimtarëve të LDK’së. Është një zhgënjim, të  them të drejtën, edhe kjo është edhe arsyeja pse unë vazhdimisht me zë të lartë e kam përkrahur edhe punën e Gjykatës Speciale, sepse e kemi pasur si shpresë të vetme, pasi që Prokuroria e Shtetit ka dështuar në trajtimin e këtyre rasteve, edhe UNMIK’u edhe EULEX’i. Prandaj ne e kemi pasur si shpresë të vetme Gjykatën Speciale për t'i trajtuar rastet të cilat hynë në juridiksionin kohor të Gjykatës Speciale.

Gazeta Express: A besoni se Gjykata Speciale do t’a trajtojë edhe rastin e babait tuaj?

Maloku: Babi është vra me 11 janar 1999 dhe si rast hyn në juridiksionin e Gjykatës. Por ne deri më tash nuk kemi ndonjë informacion nëse do të trajtohet dhe nëse do të hetohet rasti i babit nga Gjykata. Megjithatë unë shpresoj dhe unë besoj shumë që Gjykata do ta trajtojë edhe rastin e babait tim.

Gazeta Express: Ju si familje a keni ndonjë indikacion, apo ndonjë informatë se Gjykata Speciale është duke e hetuar këtë vrasje?

Maloku: Deri tash jo. Vetëm këto që i kemi parë në media, por ne si familje nuk kemi marrë ndonjë informacion zyrtar prej cilësdo palë, qoftë prej Prokurorisë së shtetit, qoftë prej Gjykatës Speciale.

Gazeta Express: I kemi parë disa deklarata sot në media, ku u hodhën dyshime mbi disa persona, si i komentoni ato?

Maloku: Në fakt unë nuk dua hiq ti komentoj këto deklarata, duhet me u marr Prokuroria me deklarata të tilla. Edhe kushdo që thotë se ka ndonjë informacion, Prokuroria e Shtetit atë detyrë e ka, që t'i trajtojë seriozisht secilin informacion për secilin krim të kryer në territorin e Kosovës.

Gazeta Express: Po ju si familje, a dyshoni në ndokënd?

Maloku: Ne si familje nuk e kemi marrë kurrë në dorë situatën në kuptimin e kontrollimit të hetimeve, ose te dyshimit për gjëra të tilla, ne ia kemi lënë komplet në dorë të shtetit, sepse babi nuk është vrarë për çështje private, babi është vrarë për këtë vend dhe shtetit i takon me u marrë me vrasjen e tij./Gazeta Express

    Data: 11 Janar 2018 18:01
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera