Kthehu lart

Lutfi Haziri: AKR’ja nuk do të bëjë lëvizje radikale më 24 gusht

Lutfi Haziri: AKR’ja nuk do të bëjë lëvizje radikale më 24 gusht Donika Krasniqi Autori: Donika Krasniqi GazetaExpress

Njëri prej udhëheqësve kryesor të LDK’së, Lufti Haziri, ende nuk po beson se Behgjet Pacolli do të kalojë në krahun e PAN’it për të formuar Qeverinë e Kosovës. Po thotë se AKR’ja ende ka çka të japë në koalicionin e ndërtuar para zgjedhjeve. Thotë se Pacolli dhe AKR duhet të presin dështimin e PAN’it për t’i ardhë rendi LDK’së bashkë me Vetëvendosjen për ndërtimin e Qeverisë.

Në një intervistë për Express, Haziri nuk e ka përjashtuar mundësinë e shkuarjes sërish në zgjedhje për shkak të bllokadave politike. I ka bërë thirrje PAN’it të shkojë në seancë dhe të japë propozimin për Kryetar të Parlamentit.

Ky zyrtar i LDK’së ka konfirmuar se të hënën do të vendoset për kandidatin e LDK’së për Kryetar të Prishtinës. Të parin e ka përmendur Lumir Abdixhikun si kandidat të mundeshëm. Derisa Ismet Beqirin e ka lënë të fundit. Në garë për Kryeqytet janë edhe Arban Abrashi e Vjosa Osmani. 

Express: Z Haziri, si po e shihni afrimin e AKR-së me PAN-in dhe paralajmërimin  e tyre se nuk kanë vija të kuqe me Kadri Veselin e Ramush Haradinajn?
Lutfi Haziri: Në fakt, unë, besoj shumë që AKR-ja si parti politike dhe partner i koalicionit me LDK-në dhe Alternativën ende është duke e ruajtur qëllimin e ndërtimit të koalicionit të Kosovës për me pru shpresë për ndryshim në këtë vend. Kushtetuta na e ka dhënë mundësinë që herën e dytë të ndërtojmë institucionet e shtetit.  Nuk po pres që më 24 gusht AKR të bëjë lëvizje politike radikale sa i përket ndryshimit të qëllimeve  dhe misionit politik që e ka edhe më tutje në kuadër të koalicionit që ka me LDK-në.

Express: Nëse AKR shkon me PAN-in, a do të thotë kjo fundi i bashkëpunimeve të ardhshme me partinë e Pacollit?
Lutfi Haziri: Unë mendoj që AKR-ja në ndërtimin e koalicionit nuk e ka pasur lehtë. Rruga e Pacollit nuk ka qenë e lehtë  dhe ajo rrugë politike e ka pasur qëllimin e madh që më ecë me LDK në këtë fazë të proceseve për shkak të pritjes së madhe dhe shpresës për ndryshime. E di që ky qëllim nuk do të ndryshohet dhe nuk besoj që kjo marrëveshje strategjike  në mes të LDK-së dhe AKR-së mund të ndryshojë me datë 24. Dhe në fund të ditës krejt këto procese politike secili ka të drejtë t’i vlerësojë vetë. Por, unë besoj që edhe më tutje  qëllimi dhe përmbajtja është  e njëjta sa i përket LDK-AKR-Alternativa.

Express: Sa ka me qenë e vështirë që LDK-ja me qenë në opozitë me një Vetëvendosje të madhe në Parlament?
Lutfi Haziri: Ne kemi qenë në opozitë, dëshiroj me konfirmu rolin tonë  në opozitë në vitin 2010-2014 dhe ky opozitarizëm i LDK’së në atë mandat që në fakt ka qenë gjysmë mandati  sepse edhe ai mandat  i qeverisjes me PDK-në dhe  AKR-në  është vetëshpërnda  për motivet politike të kohës që është bërë trend politik  i PDK-së me vetëshpartallu Kuvendin  sa herë kanë agjenda politike për nevoja të tyre. Në atë fazë e kemi pasur rolin tonë konstruktiv  dhe konstruktiviteti opozitar nënkupton që me pas rol dhe ndikim në procese politike që natyrisht në këtë fazë ne në fakt po presim në mandatin e dytë  pra që mandatin e dytë ta marrim nga Presidenti në mënyrë që LDK’ja, AKR, Alternativa dhe Vetëvendosja të ndërtojnë opsion qeverisës në Kosovë sipas të drejtës kushtetuese. Nëse këtë na e pamundëson  PAN dhe institucionet apo rruga politike që e ka zgjedh PAN-i, atëherë të qenit opozitë është  rol pozitiv dhe ndikim pozitiv dhe ndikim i cili ka për të garantuar demokracinë. Përfundimisht shtylla dhe primati kryesor në lirinë  është demokracia dhe po shihet që ka tendenca që kjo të cenohet shumë. Ne do të bëhemi gardian në ruajtjen e vlerave të lirisë  dhe ruajtjes së demokracisë dhe zhvillimit të kësaj demokracie që në Kosovë i duhen shumë .

Express: Besoni që PAN-i në seancën e radhës t’i sigurojë votat  për votim të Kryeparlamentarit, pasi edhe sot Ramush Haradinaj deklaroi se kanë më shumë se 61 vota që tashmë janë siguruar?
Lutfi Haziri: Me të thënë të drejtën para 11 qershorit ata kanë thënë i kemi 70 vota, kurse 11 qershori tregoi që i kanë 39 vota, partnerët e tyre dhe minoritetet në Kosovë si përfaqësim kushtetues  nuk e kanë edhe më tutje mbështetjen formale të deputetëve të Kosovës. Fundja 61 është qeverisje e vogël e PAN-it por do të jetë jashtëzakonisht e vështirë në stabilitet dhe politikave qeverisëse.

Kjo është ajo që ne nuk po shohim edhe ma tutje që ka rrugë ndarëse në implementimin e zgjedhjeve të 11 qershorit, kjo e para ndërsa e dyta, PAN-i ende nuk ka dal me asnjë propozim. Krejt spekulimet me emra dhe iniciativa politike kanë qenë më dije dhe kanë imponuar politikë  konspirative në Kosovë. PAN është mirë me u ulë në banka dhe në karrikat e Kuvendit të nxjerrin propozimin e tyre në votim dhe të marrin pjesë në implementimin e zgjedhjeve.

Sepse ne ende jemi në proces zgjedhor derisa nuk implementohen rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit, Kosova ende është në fazën e tretë të procesit zgjedhor. E që është mirë PAN të marrë pjesë dhe përfundimisht të japin emrin për kandidat për kryetar dhe me ec tutje mos me mbajte  “on hold” institucionin e parë të Kosovës.

Express: Ditë më parë keni deklaruar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja, qëndroni ende pas këtij mendimi?
Lutfi Haziri:  Por meqë PAN-i, tash apo PDK-ja para 11 qershorit në pozitën e atëhershme  që e përfshinë AAK-ne dhe Vetëvendosjen, Nismën dhe minoritet kanë marrë pjesë në rrëzimin e Qeverisë dhe vetëshpartallimin e Kuvendit me besim që zgjedhjet ofrojnë gjithmonë zgjidhje, e tash po del që zgjedhjet nuk janë kështu që LDK-ja në këtë fazë në pamundësi opsionalisht nëse neve nuk na jepet mandati herën e dytë që LDK-ja me partner të saj dhe Vetëvendosjen të bëjnë Qeveri atëherë nuk ka rrugë tjetër, pra hapi tjetër janë zgjedhjet e reja si mundësi e vetme për zgjidhjen e krizës aktuale.

Express: Pse po hezitoni ta nominoni kandidatin për kryetar të Prishtinës?
Lutfi Haziri: Nuk ka të bëjë me hezitim, ne i kemi nominuar në rundin e parë të kandidatëve me kryetar të Komunave. Rundi i dytë apo grupi i dytë i kryetarëve të komunave ku LDK është opozitë siç është Prishtina, Prizreni, Mitrovica, Gjakova dhe komunat si Vushtrria, Rahoveci, Kaçaniku e Shtimen e kemi kryer më herët, pra këto komuna kanë me qenë në grupin e dytë që pritet të hënën të nominohen  kandidat për kryetarë të komunave në kryesinë qendrore pastaj është procesi i vendimmarrjes në organet tjera.

Express: A mund të jetë Vjosa Osmani ose Lumir Abdixhiku?
Lutfi Haziri: Në Prishtinë janë katër emra të propozuar nga struktura në kuadër të debatit të brendshëm që LDK e ka diskutuar. Janë katër emra, pra Lumir Abdixhiku, Vjosa Osmani, Arban Abrashi dhe Ismet Beqiri që janë dal nga debati i pesë degëve të Prishtinës dhe grupmoshave  tjera që janë pjesë e debatit të brendshëm e që përfshinë nëndegë degë dhe forumet e LDK-së. Në Prizren i kemi dy kandidatura, që janë pjesë e propozimeve në Prizren,  janë Hatim Baxhaku dhe Driton Selmanaj, në çdo komunë ka më shumë se një propozim. Besojmë që propozimet e LDK-së të jenë më të mirat më të pranueshmet dhe nominime që garantojnë sukses.

Express: Kur do të mbahen zgjedhjet në LDK? A ka gjasa që ato të mbahen sivjet?
Lutfi Haziri: Zgjedhjet e jashtëzakonshme kanë dal si pasojë e opozitës në Kosovë dhe si mbështetje e PDK –së, 11 qershorin e kanë sjell jashtë çdo kalendari dhe pas zgjedhjeve lokale mbetet gjithçka për tu parë. LDK e ka kalendarin e vetë zgjedhor dhe deri në këtë fazë ne e kemi ruajtur këtë kalendar./GazetaExpress/

    Data: 19 Gusht 2017 16:53
    Autori: Donika Krasniqi

    Të tjera