Kthehu lart

Kryemadhi: Habilajt kanë punuar edhe për gjiknurin dhe Ramën, qeveria ka rënë

Kryemadhi: Habilajt kanë punuar edhe për gjiknurin dhe Ramën, qeveria ka rënë GazetaExpress

Kryetarja e LSI-se, Monika Kryemadhi ka folur sot rreth situates se fundit politike ne vend.

Si është situatë sipas jush? Çfarë po ndodh në vendin tonë pas kësaj dosje të publikuar?

Në fakt ne buzëqeshim, por buzëqeshim nga halli sepse situata është me të vërtetë shumë e rëndë dhe shumë e frikshme. Shtetit shqiptar dhe institucionet shqiptare janë sot në një gjendje të frikshme. Ne e kemi artikuluar shumë kohë më përpara këtë gjë, jo vetëm në aspektin politik. Por njerëzit dhe ndërkombëtarët në kanë marrë jo shumë seriozisht duke pasur parasysh që quhej si qëndrim politik. Po kështu ka qenë edhe qëndrimi i PD-së apo partive të tjera opozitare. Dhe gjithmonë anatemoheshin. Sot gjendemi përballë këtij fakti. Nuk është më, siç quheshin, as kazani i politikës apo medias apo edhe llumi i politikës, por kemi të bëjmë me një investigim disa vjeçar të shërbimeve sekrete italiane, që janë me qindra dhe më mijëra faqe përgjime dhe që priten të dalin edhe shumë më shumë përgjime të tjera. Ne e kemi paralajmëruar kur në seancë parlamentare z. Vasili ka thënë që shumë shpejt do të ketë reagime. Ne jemi të shokuar nga kjo gjendje dhe situatë të tmerrshme në të cilën gjendet sot Shqipëria për sa i përket rendit dhe sigurisë, gjë që e rrezikon shumë të ardhmen e shqiptarëve.

Çfarë kërkon fronti i bashkuar opozitarë, rrëzimin e Ramës apo thjesht largimin e Tahirit?

Tahiri është një nga pagatorët e Edi Ramës. Të gjithë po mendojnë sikur është druri i shtrembër në turrën e druve të rilindjes apo sikur është koka e krimit. Tahiri është një nga ata. Po t’i rikthehemi deklaratave të Ramës për Saimir Tahirin janë shumë glorifikuese se si ai ishte ministri më i suksesshëm. Për mua Tahiri është thjesht një spostim i vëmendjes nga problemi i vërtetë që është faktikisht Edi Rama. Tashmë ne jemi një narko-shtet dhe ky problem ka vetëm një emër që është Edi Rama. Dhe fronti opozitar është në luftë të hapur me krimin e organizuar.

Çfarë diskutuat sot?

Ka qenë takimi i parë praktikisht. Më pas do të vazhdojnë grupet e punës, të cilët do të vijojnë të përgatisin jo vetëm axhendën politike por edhe atë organizative, në bazë të të gjitha të dhënave, informacioneve që ne do të administrojmë, sipas partive politike. Një nga gjerat më pozitive të kësaj tryeze sot ishte dëshira dhe vullneti i të gjithë faktorëve politikë për të vazhduar këtë betejë.

Rama thotë për ju: “Fronti i çadrës së vjetër”.

Më mirë të jesh çadër e vjetër sesa të jesh kryemafiozi i Shqipërisë dhe që ka lënë peng jetën e shqiptarëve dhe të ardhmen e tyre në dyqanet e pengut të krimit të organizuar. Edi Rama gjithmonë kështu ka shpëtuar. Në kaq vite politikë Edi Rama, një herë me sqepar në dorë, një herë me tuta sporti, një herë me atlete, një herë me dajre etj. Edi Rama sot ka rënë. Ai ka rënë sepse ish ministri i tij i Brendshëm, ministri i tij më i suksesshëm siç ka thënë ai, është një nga njerëzit i cili vetëm në një rrugë merrte 5 milion euro. Unë dua të them vetëm një gjë: Kur i kemi lexuar ato përgjime të policisë italiane se çfarë flisnin dy trafikantët me njëri-tjetrin na u kujtua fushata. Unë kam eksperiencën time në fushatë elektorale se si bandat e drogës, që kontrollonin të gjithë trafikun e drogës nga Maqedonia-Elbasan-Durrës-Evropë, menaxhonin në mënyrë perfekte çdo institucion në qarkun e Elbasanit. Siç kanë bërë në Elbasan, pra Habilajt kanë punuar dhe për Saimir Tahirin në Tiranë, por jam e bindur se kanë punuar dhe për Damian Gjiknurin dhe Edi Ramën në Vlorë.

Jeni e bindur apo keni dhe informacionet tuaja?

Defekti dhe i opozitës por dhe i medias në radhë të parë, është që ne mbyllemi brenda mureve “luksoze” të Tiranës, të ambientit tonë dhe nuk dalim të shikojmë. Shqiptarët shikojnë dhe dëgjojnë, janë dhe viktima të punës së tyre, por problemi më i madh është që ata nuk e marrin guximin për të denoncuar sepse e dinë shumë mirë se do shkojnë të denoncojnë kriminelin te krimineli. Sepse ne sot kemi një polic që është bërë kriminel dhe kriminelin që është bërë polic. Kështu që çështjet e denoncimit janë bërë problematike. Nëqoftëse ne do shkojmë në Berat, do shikojmë që bandat e Beratit kanë qenë jo vetëm personat që kërcënonin njerëzit, por kanë qenë dhe sponsorizuesit e hapur të fushatave elektorale të kandidatëve për deputet të PS. Të njëjtën gjë do shkosh të shikosh në Gjirokastër, të njëjtën gjë do shikosh në Korçë, në Elbasan, në Shkodër, në Lezhë, në Kukës, në Dibër, kudo. Kudo është e njëjta histori. Ne kemi qenë viktimat e para të kësaj gjëje. E kemi ngritur zërin pavarësisht se të gjithë kanë qenë skeptikë dhe kanë thënë se ka qenë fushatë elektorale dhe në fushata elektorale gjithmonë bëhen akuza të tilla. Por ajo që dua të them është që historia e sotme, është vetëm maja e ajsbergut. Por mos të harrojmë se situata është shumë dramatike dhe shumë alarmante. E them këtë sepse është helmuar çdo gjë. Kanabisi ka helmuar spitalet, ka helmuar shkollat, shpresat e të rinjve. Madje dhe serverin e lotarisë amerikane e hodhën në tokë shqiptarët duke aplikuar sepse duan të ikin një orë e më parë nga ky vend.

Shqiptarët që na ndjekin thonë, përse nuk e rrëzuan Edi Ramën këta kur e kishin në qeveri një vit më parë?

Kjo është e vërtetë. Unë e kam artikuluar në shumë emisione të tjera e riartikuloj përsëri këtu, një nga gabimet që ka LSI në qeverisje me PS është që në momentin që u shkarkua Ylli Manjani sepse kërkoi ndërhyrjen e ushtrisë për ç’kanabizimin e Shqipërisë, Edi Rama e shkarkoi dhe ne vazhduam rutinën, propozuam z. Vasili për Ministër Drejtësie. Sot ne ku jemi? Sot ne dëgjojmë që në përgjimet e dy trafikantëve, dëgjohet se si radarët e ushtrisë dhe policisë kanë qenë në funksion dhe shërbim të trafikantëve, fikeshin dhe ndizeshin, por ne dëgjojmë vetëm për kanabisin. Po për trafikun e armëve? Po për trafik emigrantësh? Po për trafik terroristësh? Ne sot dëgjojmë vetëm për kanabisin. Të fikësh radarët e natës do të thotë që ke kapur një nga gjërat më të rëndësishme. Dhe kjo ka ndodhur në Shqipëri. Shqipëria është anëtare e NATO, kriminelët kishin persona që administronin dhe mirëmbanin radarët. Kemi dy muaj që flasim për radarët, asnjë nga media nuk merret me çështjen e radarëve, as për ta investiguar. Sigurisht është një gjë që është shumë e vështirë për një gazetar i cili paguhet me një rrogë shumë të vogël dhe nuk ka asnjë garanci dhe asnjë lloj mbrojtje për të dalë dhe për të investiguar një gjë kaq të rëndë dhe kaq të rrezikshme. Ashtu sikurse ka dhe shumë politikanë të tjerë të cilët thonë që, përse ta them unë, ta thotë dikush tjetër sepse unë kam fëmijë për të rritur, etj. Në momentin që ne kemi arritur, qoftë politikani, qoftë gazetari, qoftë qytetari që nuk merr guximin ta denoncojë do të thotë që ky komb ka rënë.

Po prokuroria çfarë ka thënë?

Do të doja shumë ta sulmoja prokurorinë por nuk më lejon e para po them eksperienca ime në marrëdhënie me ligjin, por dua të them vetëm këtë gjë: çfarë mund të bëjë një prokuror i cili prej kaq vitesh, ndoshta dhe në mënyrë sistematike dhe të organizuar qëllimisht, apo gjyqtar, është sulmuar në mënyrë të hapur? Ne jemi marrë me çantat, orat, këpucët e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe nuk kemi thënë një fjalë për krimin e organizuar. Dosja e Saimir Tahirit për ndërkombëtarët ka qenë në tryezat e tyre ka gati dy vjet. Ne kemi vetëm përgjimet 2013-2015 për Habilaj. Kjo dosje ka qenë në tryezat e ndërkombëtarëve ndërkohë por, kjo është një gjë tjetër që i përket një etape tjetër ose një ballafaqimi tjetër që duhet të ndërtojë klasa politike shqiptare me ndërkombëtarët. Kush është ai prokuror, i cili është vendosur ka gati tre vjet nën petkun e reformës në drejtësi i cili çdo ditë intimidoheshin, kërcënoheshin, fyheshin, sigurisht që nuk ka pyll pa derra, ka dhe prokurorë të pandershëm, ka dhe prokurorë që hapin çështje thjesht për të gjobitur njerëz, por ka dhe prokurorë që kanë futur me qindra e mijëra kriminelë apo shkelës të ligjit, gjyqtarë që kanë dënuar kriminelë apo shkelës të ligjit me vendime gjyqësore. Dhe sot ti çfarë ke bërë, sot ti ke krijuar jo vetëm një skepticizëm, pret të zbatosh një reformë në drejtësi ku pjesë kryesore e zbatimit të kësaj reforme, pra pjesa 50 % e kësaj do jenë nga PS, ku të 74 mandatet e PS, janë mandate të blera me paratë e Habilajve, Çelajve, të gjithë grupeve të tjera kriminale që ekzistojnë dhe që janë në Shqipëri.

Cilat janë mjetet me të cilat do rrezoni qeverinë Rama?

Është shumë shpejt për të folur për sa i përket rrëzimit të qeverisë Rama. Unë nuk them qeverinë Rama, unë them që duhet bërë një qeveri antimafia sepse sot Shqipëria drejtohet nga mafia, madje shumë e rrezikshme që nuk është mafie shqiptare, por është mafie ndërkombëtare e cila krijon dhe ka një ndikim të jashtëzakonshëm jo vetëm në rajon, por ka shtrirë linjat e saj shumë më larg që e bën më të rrezikshme. Por nuk bën vetëm më të rrezikshëm pozicionimin e jetës politike shqiptare e cila bën pis gjithë ambientin në të cilin jetojmë, por mbi të gjitha ajo cenon sigurinë kombëtare të Shqipërisë, imazhin e Shqipërisë por mbi të gjitha e vendos Shqipërinë në një hartë të zezë që rrezikon jo vetëm lëvizjen e lehtë të shqiptarëve, por edhe  imazhin e Shqipërisë të cilat unë  e kam përmendur edhe dua ta përmend, atë publicitet që Papa Françesku i ka bërë Shqipërisë kur ka ardhur dhe ka bërë meshën e tij në sheshin “Nënë Tereza” , i cili krijoi një imazh dhe një perceptim të jashtëzakonshëm për shqiptarët, ku bashkëjetesa fetare është një nga virtytet e popullsisë shqiptare, ky zotëri sot kërkon ta cenojë, ta mbulojë, ta zhduk dhe të mos ekzistojë më.

Kërkoni rrëzimin e Ramës apo jo? Si do arrini ju ta rrëzoni këtë qeveri si front opozitar sepse mendoni që për një kohë të gjatë për krimin, mafian, drogës etj .

Sigurisht që Rama ka rënë. Ky është një nga problemet që ne kemi gjithmonë sepse ne themi që do ta rrëzojmë. Për mua, Edi Rama është rrëzuar dhe nuk është kryeministër i Shqipërisë. Për mua Rama është koka e mafias dhe krimit të organizuar në  Shqipëri. Nëse unë do dëgjoj, marr urdhra apo do zbatoj fjalët e një kryemafiozi apo kryekriminelit shqiptar, i cili mban përgjegjësi për çdo gjendje të tmerrshme që është sot, për varfërinë e shqiptarëve, për demotivimin e tyre dhe humbjen e shpresës që po i detyron të largohen çdo ditë e më shumë nga Shqipëria, në mënyrë të tillë që ta shpopullojë këtë vend dhe të jetë sa më i menaxhueshëm e sa më i kontrollueshëm nga krimi dhe bandat e organizuara. Mendon që këtë vend ta kthejë në një bazë të pastër, të virgjër, pa shqetësime, pa problem ku të gjitha strukturat dhe institucionet e shtetit t jenë në funksion të tyre. Siç po flasim për radarët e NATO-s, radarët e policisë së shtetit ashtu mos u shqetësoni që do përdoren ambasadat shqiptare, mos u shqetësoni kur të jenë mësuesit nëpër shkolla që do u shpërndajnë vetë lëndë narkotike fëmijëve e si do bëjnë eksperimente me fëmijët tanë në kopshte e çerdhe.

Ky front opozitar do bashkohet që ta rrëzojë këtë qeveri?

Sigurisht. Sot ishte hapi i parë i cili shkon drejt kësaj rruge. Do ketë hap pas hapi, mos u nxitoni. Gjërat do jenë të studiuara mirë. Sigurisht që ne do jemi në kontakt dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë sepse edhe ata kërkojnë të shikojnë një opozitë të organizuar, të strukturuar, të besueshme, një partner serioz të cilët ndërkombëtarët kërkojnë të mbështeten fortë tek kjo opozitë. Unë jam e bindur që kjo opozitë shumë shpejt do jetë e strukturuar, shumë e organizuar me një plan konkret,  ku nuk do të bëhet fjalë vetëm për opozitë politike por bëhet fjalë për një përfshirje e dy faktorëve qofshin këto politikë dhe social.

Do të tërhiqni protesta popullore?

Ato do të vijnë hap pas hapi. Partitë politike organizojnë manifestime, nuk organizojnë protesta. Organizojnë manifestime, sensibilizojnë njerëzit dhe protestat vijnë hap pas hapi si pjesë e sensibilizimit të njerëzve. Qytetarët sot janë shumë të frikësuar, ku duan të gjejnë një vend kur të përplasen ose të mbahen fortë në mënyrë të tillë që t’i orientojnë drejt rrëzimit të kësaj qeverisjeje që nuk është qeveri as e Partisë Socialiste, por është një strukturë kriminale e cila nuk ka vend në mandatet e 74 vetave të cilët nuk marrin as guximin për ta mbrojtur apo për ta sulmuar ish- ministrin e tyre apo kolegun e tyre.

Reagimi i Ramës për Tahirin si ju duk?

Atë që bën Rama gjithmonë. Nuk ka bërë Rama ndonjë gjë ndryshe. Ai ka përdorur njerëzit dhe më pas i ka flakur.

Mendoni që do ta ketë të lehtë kësaj radhe me këtë dosje të partnerëve ndërkombëtarë?

Unë mendoj që dosja e  partnerëve ndërkombëtarë janë vetëm faqet e para të dosjes. Nuk është vetëm Saimir Tahiri, jam e bindur që janë dhe njerëz të tjerë madje dhe vetë z. Rama do jetë i përfshirë në  të. Absolutisht jam e bindur që nuk është çështje përgjimesh, është çështje lëvizjes e transfertash, çështje parash dhe lëvizje politike, biseda tavolinash, çështje darkash, drekash, tryezash të cilat janë bërë në kurriz të shqiptarëve dhe të stabilitetit dhe paqes në rajon.

Znj. Kryemadhi duket sikur dini më shumë se çfarë thoni. Me atë që ju mund të dini si kryetare e LSI dhe atyre që mund të keni strukturat tuaja ,  do t’i referoheni prokurorisë apo faktorëve ndërkombëtarë?

I jemi referuar prokurorisë. Kërkesën e parë e kemi bërë për kallëzim penal për kryeministrin kur bëri thirrje hapur e publike policisë së shtetit që hiqni kapelat dhe mblidhni vota për Partinë Socialiste.  Sigurisht që kjo është një shkelje shumë e rëndë e rendit publik. Nuk e di nëse Prokuroria ka filluar çështjen ndaj kryeministrit. Kjo është një gjë që i përket atyre se ne nuk jemi as gjyqtari dhe as prokurori. Ne jemi parti politike të cilat ngremë akuzat tona. Ne i qëndrojmë atyre. Ne çdo akuzë që kemi ngritur nuk e kemi pasur asnjëherë as për të përbaltur ndonjë njeri, as për të cenuar njeri. E dyta, qëndrimet tona kanë qenë qëndrime parimore, të cilat kanë pasur një argumentim dhe një fakt mbrapa. Në gjithë këto vite që ka LSI-a në jetën e saj politike, pra që nga themelimi e deri më sot, nuk e kemi një akuzë, e cila ka qenë false apo thjesht përbaltje. Të gjitha akuzat që ne kemi ngritur kanë qenë qëndrime të cilat janë drejtuar, edhe pse me vonesë nga të tjerët. Pavarësisht nga kjo, sigurisht që edhe ne kemi ‘mëkatet’ ose ‘gabimet’ tona, ku për shumë gjëra që ne i kemi evidentuar, kemi qenë prezent, duhet të kishim reaguar. Por, sigurisht kjo vjen edhe si rezultat i asaj fjalës së dhënë që ne shqiptarët e kemi pak merak, që e kemi dhënë fjalën dhe nuk e ndërrojmë. Por, nuk ka fjalë të dhënë në kurriz të të ardhmes së fëmijëve tanë.

Nuk keni frikë që në përgjimet që do të dalin, mund të jenë të përfshirë edhe përfaqësues të LSI-së?

Kushdo që të jetë. Ne çfarë nuk kemi dëgjuar e çfarë nuk kemi parë. Kushdo që ka shkelur ligjin, që është i implikuar, të shkojë përpara drejtësisë, Vetëm kështu ne mund të shpëtojmë. Të bëjnë veting për prokurorë e për gjyqtarë, por të bëjnë veting edhe për politikën. Vetëm kjo është mënyra që ne mund të shpëtojmë klasën politike shqiptare. Në 27 vite tranzicion kemi qenë, por si tani që të kesh ti një parti politike e cila nuk është më një e tillë, por është strukturë kriminale, kjo është e papranueshme.

Si do t’i bindni ju ata njerëz të cilët mendojnë se e gjithë kjo nuk u bë brenda 1 viti. Deri para 1 viti po të njëjtët ishit. Përse këta nuk e rrëzuan qeverinë para 1 viti dhe kujtohen tani që janë në opozitë?

Duhet të kuptojmë diçka. Gjërat nuk kanë ardhur asnjëherë të menjëhershme. Është shumë vështirë sot në Shqipëri që ti të artikulosh akuza ndaj njerëzve, të cilët kanë shtrirë duart e tyre në media, kanë pagatorë në media, kanë pagatorë në rrjete sociale. E dimë shumë të mirë dhe jemi të ndërgjegjshëm se si paratë e krimit kanë paguar jo vetëm gazetarë, jo vetëm pronaër mediesh, por se si paratë e krimit kanë paguar raporte ndërkombëtare, kanë paguar ambasadorë, kanë paguar institucione ndërkombëtare. Mos u çuditni tani kur të shikoni para pa fund që do lobohen për të bërë fotografi me Presidentë, me Kryeministra, etj. Kështu që është shumë e vështirë. Së shpejti ne mund të kemi edhe një projekt tonin si LSI, që gjatë gjithë historikut tonë si LSI, të bëjmë një listë të të gjitha denoncimeve tona, t’i vendosim me të kuqe dhe me blu, sa nga ato janë të vërteta dhe sa nga ato nuk kanë rezultuar të vërteta. Duke pasur parasysh që LSI ka qenë gjithmonë në formën e një sanduiçi në jetën politike shqiptare, gjithmonë ka qenë e eliminuar dhe jo prezente në media. Megjithatë, ajo që është më e rëndësishme është që njerëzit kanë filluar të zgjohen. Kur thotë edhe ime më, që ju bëni ç’të doni, por këto prapë kanë për t’i vjedhur dhe blerë votat. Mendoni se si mund të ketë besim një njeri, i cili punon pastrues në një institucion shtetëror dhe i thonë që do të futesh në punë me konkurs nga Departamenti i Administratës Publike.

Po, por Rama këtë e thoshte për ju, që jua hoqa tepsinë, ia çova tepsinë për skrap, e kështu me radhë...

Ai ka një problem shumë të madh. Në Ministrinë e Brendshme ai nuk ka pasur asnjë nga LSI-a. Edhe tepsinë, edhe timonin, edhe rrotat, të gjitha i kishte vetë në Ministrinë e Brendshme. Në Ministrinë e Mbrojtjes, edhe tepsinë, edhe timonin, edhe radarët i kishte vetë. Në Ministrinë e Financave, në Dogana, në Tatime i kishte të gjitha vetë. Edhe aty te skanerat, kur e fikte dhe e ndizte skanerin për të lexuar kontenierët me lëndë radioaktive që futeshin në Shqipëri. Janë groposur. Ndërkohë, në Maqedoni nuk hynë kontenierët me plehra, ajo e bllokoi, ama nga Italia dolën, por se ku shkuan këto kontenierë, kurrë nuk u fol. Në ato pesë ministri që kishte LSI-a, ne do të marrim mëkatet tona mbi kurriz, por unë jam e bindur që shumë shpejt shqiptarët do të shikojnë diferencën dhe ndryshimin midis ministrave të LSI-së dhe atyre të tjerëve. Edhe vetë ministrat e PS-së që janë sot do ta kuptojnë se sa e vështirë do të jetë të punojnë me atë buxhet aq të vogël që Edi Rama iu ka dhënë.

Ka pasur një spekulim, ju keni një front, dhe sipas disa mendimeve keni njohur Bashën si lider. Automatikisht në qoftë se nesër do të ketë një qeveri teknike, ju keni pranuar Bashën Kryeministër... 

Ky është problemi që ka pasur politika shqiptare. Gjithmonë është marrë me gjërat e vogla dhe gjërat e mëdha i ka lënë. Se kush është kryetari i frontit, se kush është i fundit i frontit, për mua nuk ka asnjë lloj vlere. Për mua e rëndësishme është të shpëtojmë Shqipërinë nga krimi i organizuar. Nuk kam hall as se kush do të jetë kryetari i frontit, as i opozitës, as Kryeministri i nesërm, as Zv. Kryeministri dhe askush tjetër. Unë kam dëshirë të rris fëmijët e mi në Shqipëri. Dua të jetoj në Shqipëri, sepse jam e bindur që me karakterin që kam nuk jetoj dot jashtë shtetit. Më pëlqen Shqipëria, e dua Shqipërinë. Kam dhe unë gabimet e mia, por gjithmonë jam munduar për të bërë gjëra të mira. Por kjo nuk do të thotë që të merrem me gjëra të vogla, për mua është shumë e rëndësishme që të iki një orë e më përpara Edi Rama nga drejtimi i vendit, i cili ka rënë. Moralisht ai nuk është më kryeministër i vendit, ai vazhdon të jetë thjesht koka e krimit të organizuar në Shqipëri, njeriu që lëviz të gjitha hallkat e krimit të organizuar.

Kur do të jetë ndonjë takim tjetër i Frontit Opozitar?

Shumë shpejtë do ketë. Ne kemi lënë të vazhdojnë grupet e punës përsa i përket modaliteteve. Do të ulemi shumë shpejt me shoqërinë civile, do të ulemi shumë shpejt me faktorë të tjerë qoftë nga bota akademike dhe universitare. Mos të harrojmë që kemi një sistem shumë të madh. Kemi arsimin që është në një krizë shumë të madhe, ka mësues të tërë të cilët sot po flaken në rrugë për shkak të bindjeve të tyre politike, ndonëse kanë nga 30 vjet që japin mësim. Shqiptarët janë një popull që zgjohen pak me vonesë, por ama kur zgjohen e bëjnë gjëmën e madhe.

Mendoni se do të ketë një ndërgjegjësim të madh nga shqiptarët?

Mos harroni se si reagoi dhe se si ndryshoi Rama me çështjen e armëve kimike, mos harroni se si po ndryshon qëndrim për TVSH-në, s’kemi filluar akoma ne të bëjmë dëgjesat, vetëm me artikulimet tona, vetëm me takimet tona sporadike dhe të vogla me përfaqësues të shoqatave, me përfaqësues të bizneseve, me debate dhe diskutime televizive, ndryshuan.

Këtë doja të thosha, nëse Rama ndryshon, arreston Saimir Tahirin dhe distancohet nga gjithçka që mund të ketë ndodhur, do ta pranonit sërish për kryeministër Ramën?

Si mund ti ketë bëra të gjitha këto gjëra Saimir Tahiri pa dijeninë e kryeministrit? Por Samir Tahiri është viktima e radhës së Edi Ramës në jetën politike. Mua nuk më bën përshtypje. Unë i kam thënë edhe Ilir Metës, mos e beso. Dhe ja ku jemi dhe sot. Samir Tahiri nuk është asgjë, është një në listën e gjatë të gjithë njerëzve apo viktimave të Edi Ramës. Pyetja shtrohet; kush është problemi? Problemi është që ky njeri, Edi Rama duhet të iki. Dhe mirë do ishte të ikte vetë, ta kishte më pa dhimbje. Por nëse ai, do vazhdojë ta zvarrisë, ta zvarrisë, do ta ketë shumë të dhimbshme dhe shumë të pashpresë për të. Nuk bëhet më fjalë thjesht për të, bëhet fjalë për të ardhmen e Shqipërisë. Nuk bëhet fjalë as për familjen e tij, sepse ja ka siguruar të ardhmen, bëhet fjalë për të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve, të cilëve Shqipëria u duket vendi i huaj, nuk u duket më Shqipëria vendi i tyre. Nëse ne do të vazhdojmë kështu, mos u çudisni kur pas disa kohësh fëmijët tanë do shkojnë në ekskursion me detyrim nga shkolla për të vaditur tokat me kanabis. Ne kemi parë para një viti se si policia shkonte për të korrur fushat me kanabis, por në fakt e korrte sepse trafikanti nuk donte të paguante ditën e punës për punëtorët. Dërgonin policinë gjasmë për të korrur kanabisin, por policia e magazinonte, thahej, dhe pastaj nisej me skaf drejt Italisë.

Janë shumë të rënda këto gjëra që thatë sot…

Këto nuk janë të rënda, këto janë gjërat e përditshme që shikojnë shqiptarët. Ne na duken të rënda sepse kemi pasur ndonjëherë frikë për ti artikuluar, nganjëherë kemi thënë po ç’na duhet ne, le ta thotë dikush tjetër. Tani nuk mban më. Është ai momenti që nuk mban më kupa. Është mbushur, dhe ka filluar të derdhet. Ne duhet të sensibilizohemi. Unë e shikoj si një mision për të ardhmen. Çështjen e luftës kundër krimit të organizuar e shikoj si një mision.

    Data: 18 Tetor 2017 20:49
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera