Kthehu lart

Intervistë| Nënkryetari i LDK’së: Qeveria rrëzohet me demarkacion, Limaj po tregohet vullnetmirë

Intervistë| Nënkryetari i LDK’së: Qeveria rrëzohet me demarkacion, Limaj po tregohet vullnetmirë GazetaExpress

Lutfi Haziri nuk po pajtohet me dy konstatime të Edi Ramës. Krahasimin me lopë dhe me kovën e mbushur me qumësht nga liderët e Kosovës. Sipas Hazirit, kova e liderëve të Kosovës është e zbrazur. Në një intervistë për Expres, nënkryetari i LDK'së, ka thënë se udhëheqësit aktualë të Kosovës janë votuar për t’i zgjidhur tri probleme, por që i kanë shkaktuar tridhjetë të tjera. Prandaj, thotë ai, vendi shpejt mund të shkojë në zgjedhje.

INTERVISTA

Express: Po vazhdojnë deklarimet kundërthënëse të zyrtarëve të Qeverisë për demarkacionin. Në fakt, çka duhet të bëjë Qeveria e Kosovë me këtë temë?

Lutfi Haziri: Kjo Qeveri është vonuar në miratimin dhe  ratifikimin e Ligjit për Demarkacion. Është vonë. Duke pasur parasheh edhe faktin që këta kanë qenë kundërshtuesit, refuzues protestuesit në seancë, në kohën kur Qeveria e udhëhequr nga LDK ka dashur ta ratifikojë. Ishte në procedurë. Çdo ditë është humbje për njerëzit e Kosovës. Është izolim për të rinjtë. Problemi kryesor dhe prioriteti kryesor mbetet miratimi i këtij ligji dhe t'i zgjidhim problemet me fqinjët. Nuk kemi nevojë të tensionimin e situatës me fqinjët.

Express: Cili është pozicioni i LDK’së dhe hapat që do t'i ndërmerrni në gjithë këtë situatë?

Lutfi Haziri: LDK është partia më e madhe pas zgjedhjeve të fundit lokale. Përgjegjësia bie mbi shpatullat tona si partia më e madhe opozitare, më e unifikuar dhe me qëndrimin e qartë. E kemi nënvizuar se partnerët e koalicionit qeverisës duhet të sigurojnë një procedurë të rregullt dhe një votim për Ligjin për Demarkacion. Ne jemi për liberalizim dhe jemi që qytetarët tanë ta kapin trenin e fundit para zgjedhjeve në BE që janë më 2019. Presim që të mos ketë vonesa, por, po shihet se kjo Qeveri nuk është duke u marrë me problemet kryesore të Shtetit. Por, po merret më shumë me probleme administrative dhe shpenzim të buxhetit.

Express: A duhet të rrëzohet Qeveria nëse bien Demarkacioni në Parlament?

Lutfi Haziri: Kemi një situatë ku Kryeministri po e kundërshton demarkacionin. Partneri më i madh në qeverisje është pro. Megjithëse, në raport me ne, duket se ka pasur hile politike. Tash, s’po shohim hile politike. Duhet një angazhim serioz i institucioneve të Shtetit që përfshinë: Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, Presidentin dhe opozitën në mënyrë që të kapërcehet pengesa kryesore e këtij vendi. Në gjithë këtë situatë, Kryeministri është kundër këtij procesi.

Express: A duhet të rrëzohet Kryeministri nëse rrëzohet demarkacioni?

Lutfi Haziri: Nëse e shohim se si po reagon PDK, shpërndarja e Parlamentit dhe rrëzimi i Qeverisë është proces që mund të ndodhë.

Express: Sa janë gjasat që LDK të inicojë një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë meqë edhe ju e keni përmendur një hap të tillë disa herë?

Lutfi Haziri: Ne edhe më tutje rolin tonë e kemi brenda Grupit Parlament. Demarkacioni është vetëm njëra nga problemet. Agjenda dhe dialogu për normalizim me Serbinë si proces që duhet pasur agjendën se kur fillon dhe përfundon. Është çështja e Ligjit të FSK’së në forcat e armatosura, një proces kushtetues që duhet të jetë i përcjellë me shumicë të madhe, me përkrahje edhe të pakicave. Ka edhe një numër të madh të problemeve, të cilat në masë të madhe ia kanë errësuar Kosovën integrimin në BE, në NATO dhe liberalizim të vizave.  Jam në Bruksel në kuadër të pushtetit lokal dhe regjional. Kam takime me deputetë të Parlamentit Europiane dhe anëtarë të partive popullore,  shihet një dëshpërim dhe një humbje e besimit në lideshpin e Kosovës që nuk po tregon vullnet për të shtyrë procese përpara. Është një energji negative që e detyron qytetarin të merret se po zhbëhet apo bëhet Gjykata Speciale. Se çka po ndodh me liberalizim të vizave. Janë minutat e fundit për të kapur mundësinë që të hyjmë në këtë proces me një vullnet të ri për të mos thyer shpresën për integrime euroatlantike.

Express: Ka një përpjekje prej Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj për të gjetur një zgjidhje për demarkacionin.

Lutfi Haziri: Ky është një vullnet i mirë. Ka pasur nisma të tilla edhe më herët të deputetëve të LDK’së, nëse ju kujtohet, ka pas një nismë që Ligjit me ia shtu një letër mbështetëse. Por, unë nuk di që Ligji lejon kompromis. Ratifikimi i Ligjit është i miratuar dhe ratifikuar nga të gjitha anëtarët e NATO’s që përfshinë edhe Kuvendin e Shqipërisë. Nuk e di cila është logjika që me Ligje të bëhen kompromise. Letra përcjellëse është çështje që ka të bëjë me një strategji dalëse të fjalëve të mëdha dhe protestat e tymosura me gaz lotsjellës.

Express: Pse ndodhi zmbrapsja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Ramush Haradinaj nga nisma për zhbërjen e Speciales?

Lutfi Haziri: Dhjetori ka qenë muaji i keq për Kosovën jo vetëm për këtë nismë, por edhe për shkak se është iniciuar nga veteranët. Në thelb mbështetja ishte prej institucioneve. Mesazhi ishte i keq. Tendenca për ta zhbërë Specialen ishte vetëm tentativë. Dhe, mbeti vetëm tentativë. Por, imazhin e keq që e kemi dhënë në Bruksel është edhe më tutje i idhur. Kërkon ofanzivë diplomatike dhe angazhim edhe të shoqërisë civile për të tejkaluar këtë sfidë.

Express: Qysh e keni parë tërheqjen e tyre – kishin qëllim ndonjë Pazar personal apo...?

Lutfi Haziri: Nuk po shoh tërheqje. Po shoh se po pushojnë. Sepse mocioni i deputetëve është aktiv. Ka shkuar në qeveri. Qeveria do të japë mendim. Procesi është në pushim. Të shohim se si do të shkon procesi i ratifikimit të marrëveshjes dhe të shohim se a po ka tendencë për të kthyer Shtetin në rrugë të mbarë. Apo po vazhdojnë të shihen në pasqyre me vetveten. Dhe, jo të merren me zgjidhjen e problemeve reale të Shtetit.

Express: A mund të jetë ky vit i zgjedhjeve parlamentare?

Lutfi Haziri: Është bërë një lloj rregulli i pashkruar se prej krizave dilet duke shkuar në zgjedhje të shtrenjta. Dhe, vërtetë ende nuk janë bërë gjashtë muaj prej dy palë zgjedhjeve. Definitivisht, opsionin e zgjedhjeve nuk e përjashtojë asnjëherë. Opsioni i vetëm që është për të dalë nga kjo situatë dhe atmosferë. Por, duhet pasur angazhim serioz. Së paku, kjo Qeveri ka premtuar se do t’i zgjidhe tri problemet kryesore. Dhe, këto tri probleme nuk po zgjidhen por po trashen. Janë bërë tridhjetë probleme që duhet zgjidhur.

Express: Ishte një deklaratë e Pacollit i cili tha se Serbia s’është e domosdoshme të njohë Kosovën për të ecur tutje...?

Lutfi Haziri: Është në kuadër të gabimeve dhe lëshimeve të kësaj Qeverie. Është e domosdoshme të na njohë Serbia. BE nuk mund ta dubllifikojë problemin e Qipros. Kosova duhet të hyjë në BE me territor dhe popullatë të definuar. Nuk mund të hyjmë në BE me status të dykuptimësisë. Sepse mund të na quajnë si Serbi e jo si Kosovë. Në këtë formë të statusit nuk guxon më hy. Duhet pasur kujdes në këso qasjesh. Sepse në qendrat vendimmarrëse po kërkohen rrugë më të lehtë për të tejkaluar problemet me Serbinë e jo me Kosovën. Nuk po shihet më Serbia si Shtet që shkakton probleme. Në fakt, Serbia për çdo ditë shkakton probleme Kosovën. Edhe z. Pacolli duhet të tregojë qartë fytyrën e Serbisë. Por, ata po shikojnë vetëm fytyrën e tyre në pasqyrë.

Express: Kryeministri Haradinaj, në një deklaratë në Parlament, tha se është sikur maca. Sa herë të rrëzohet bien në këmbë. A po e rrëzon veten Haradinaj apo mund ta rrëzoje opozita?

Lutfi Haziri: Kisha thanë të mos përmenden shumë emra shtazësh. Sepse Kryeministrat tjerë prej maces po na bëjnë lopë. E prej lopës na bëjnë buall. Edhe situata e terminologjive shtazore që na ka nxjerr prej luftës, bile, në paqe duhet patur kujdes. Kur bien politikisht një Kryeministër në Parlament ajo datë shënohet si rënie e Qeverisë. Edhe Hasan Prishtina ka qenë Kryeministër, por vetëm gjashtë orë...

Express: Kryeministri i Shqipërisë përdori një figurë interesante kur i përshkruajti veprimet e liderëve të Kosovës. U pajtuat me Ramën?

Lutfi Haziri: Në asnjë mënyrë. Qëllimi i tij ishte i mirë. Por, Edi Rama ka harruar të tregojë se se në kove nuk ka pasur qumësht hiq. Kova ka qenë e zbrazur. Ai e ka parë kovën e mbushur me qumësht si pjesë e një rezultati pozitiv. Por, në Kosovë të gjithë e dimë se kova është e zbrazur. Sepse kovën dikush tjetër e ka mbushur

    Data: 03 Shkurt 2018 13:52
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera