Kthehu lart

Intervistë me “Ambasadorin” e Katalonjës që mbulon Kosovën: Mund të mësojmë shumë nga rasti juaj

Intervistë me “Ambasadorin” e Katalonjës që mbulon Kosovën: Mund të mësojmë shumë nga rasti juaj Artan M.Haraqija Autori: Artan M.Haraqija GazetaExpress

Eric Hauck, i deleguari i Katalonjës për Ballkanin, përfshirë edhe Kosovën, në një intervistë për Gazetën Express ka folur për zhvillimet në Katalonjë e cila po përpiqet të pavarësohet nga Spanja. Hauck është drejtues i delegacionit katalonas në Zagreb që nuk ka status diplomatik, por që Katalonja e ka të drejtën ta themelojë në bazë të Kushtetutës spanjolle për të mbajtur kontakte me komunitetin ndërkombëtar. Në bisedën me Express Hauck ka dhënë detaje se çfarë po ndodhë aktualisht në Katalonjë, krahasimet që po bëhen me rastin e Kosovës dhe çështje tjera.

Përpjekja për kontakt me të deleguarin e Katalonjës në Zagreb, Eric Hauck, prej nga ai e mbulon edhe Kosovën, është tejet e vështirë. Nuk bëhet fjalë për mosgatishmëri të Hauck që të flasë me Gazetën Express, por për dështimin e lidhjes telefonike.

Kalon mbi gjysmë ore dhe pas këmbimit të një mori emailash, vendoset për një numër tjetër.

“Më mirë të flasim në këtë numër sepse atë që e kam nga Spanja me siguri ma kontrollojnë”, thotë Hauck pak para nisjes së intervistës.

Delegacioni katalonas, i cili nga muaji korrik është vendosur në Zagreb të Kroacisë, nuk është mision diplomatik, por ka një vit prejse parlamenti rajonal në Barcelonë ka vendosur të shfrytëzojë një të drejtë kushtetuese për të themeluar misione të tilla nëpër më shumë vende të botës. Misioni në Kopenhagë e mbulon tërë Evropën Veriore, ai në Varshavë mbulon edhe vendet baltike. Sllovenia mbulohet nga delegacioni katalonas në Vjenë.

“Ne nuk kemi status diplomatik sepse nuk jemi ende shtet. Kushtetuta spanjolle dhe ajo katalonase na jep të drejtë dhe kompetenca që të kemi disa lidhje të huaja me komunitetin ndërkombëtar. Këto lidhje kanë të bëjnë me tregtinë, investime, lidhje kulturore apo sport dhe turizëm”, thotë Hauck, ndonëse marrë parasysh situatën që ekziston në mes të Madridit dhe Barcelonës është e kuptueshme që bëhet fjalë për kontaktet e para të pavarura të Katalonjës me botën.

Qysh në fillim të intervistës ai këmbëngul se rasti i Kosovës nuk mund të krahasohet me atë të vendit të tij, rajonit verilindor të Spanjës që ka pak mbi 7,5 milionë banorë.

“Kosova është një proces unik, Katalonja është proces unik dhe nuk mund t’i krahasosh, njëjtë siç nuk mund të krahasohet as me Slloveninë apo Letoninë. Joshja për të bërë krahasim është shumë e lehtë dhe e kuptoj që qeveritë nuk duan të bien në kurth. Por, është gjithashtu e vërtetë që janë disa qeveri apo rajone në Ballkan që e shfrytëzojnë rastin katalan për të shtyrë para aspiratat e tyre. Këtë e kemi parë me Republikën Serbe, për shembull…”, thotë Hauck për Gazetën Express përmes telefonit.

Por, përgjatë intervistës derisa tregon ankesat e katalanëve për, siç thotë Hauck, shtypjen dhe turpërimin që Madridi po ua bën atyre, vërehen jo pak ngjashmëri me përpjekjet e para për pavarësi të Kosovës. Referendumi i mbajtur në Katalonjë më 1 tetor prej nga mbi 92 % e pjesëmarrësve votuan pro pavarësimit nga Spanja, realisht e ka shpërfaqur publikisht dhunën dhe shtypjen për të cilën ka kohë që katalonasit ankohen.

Votimi u mbajt në kushte të jashtëzakonshme, ndërsa pamjet se si njësia speciale e policisë spanjolle tërheq zvarrë për flokësh votuesit duke tentuar t’i largojë nga qendrat e votimit, u dënuan ashpër gjithandej.

“Është e vërtetë megjithatë se në aspektin emocional dhe ndjeshmërisë, pra në kuptimin e vlerave njerëzore, ka gjëra që na ofrojnë neve shumë dhe ne duhet të mësojmë shumë prej jush. Ju e keni përvojën. Ju keni kaluar apo po kaloni përmes disa proceseve. Shoqëria juaj civile dhe popullata e juaj kanë ndjeshmëri, aftësia që e keni treguar para botës është diçka për të cilën ne duhet të marrim mësim. Natyrisht, përvoja juaj na ka dhënë neve më shumë fuqi dhe më shumë arsye që të reagojmë paqësisht ndaj të gjitha provokimeve që i kemi pasur së fundi”, thotë ai.

Në mbi tre muajt e misionit të tij, i deleguari katalonas me seli në Zagreb thotë të ketë vizituar vetëm Sarajevën, ndërsa me zyrtarë të Kosovës nuk ka pasur asnjë kontakt ende.

Qeveria e Kosovës nuk ka pranuar ta komentojë referendumin e mbajtur më 1 tetor, ndërsa presidenti Hashim Thaçi gjatë një interviste dhënë agjencisë spanjolle të lajmeve ka folur për marrëdhënie të mira të Kosovës me Madridin.

“Spanja është shtet mik i Kosovës. Institucionet e Kosovës kanë marrëdhënie të mira me institucionet e Spanjës në Madrid”, kishte thënë Thaçi.

Për të deleguarin katalonas në Ballkan është e dhimbshme që qeveritë nuk po dëgjojnë përkrahjen që edhe popujt e Ballkanit po i japin përpjekjes së katalonasve për pavarësi nga Madridi, ndonëse ai mundohet të arsyetojë qëndrimin e autoriteteve të Kosovës.

“Ka shumë aspekte këtu. I pari është duhet bërë dallimin në mes të autoritetit dhe qëndrimit zyrtar të tyre dhe asaj që ne e dëgjojmë nga popullata. Dhe këtu e kemi ngjashmërinë: populli e ka një mendim ndërsa qeveritë nuk po dëgjojnë. Mirëpo, qeveria e juaj dhe rajoni e kanë një arsyetim pasi kjo çështje është ende e freskët, ju keni vuajtur shumë dhe duhet të keni kujdes.  Veçanërisht, pasi është shumë e lehtë që nga jashtë, sidomos nëse nuk keni përjetuar konflikt të përgjakshëm, është shumë e lehtë për ata që duan të përdorin këtë rast dhe të bëjnë krahasime në mes të rasteve që normalisht nuk mund t’i krahasosh”, thotë Eric Hauck për Gazetën Express.

Prej përpjekjeve për asimilim e deri te “çizmja mbi fytin katalonas”

Prej viteve 1700, të gjithë mbretërit spanjollë kanë bërë përpjekje të zhdukin dallimet kulturore që ekzistonin në mes të spanjollëve dhe katalonasve, duke imponuar gjuhën dhe ligjet spanjolle në këtë rajon.

Përpjekjet janë ndalur vetëm në vitet 30 të shekullit të 20-të, por shumë shpejtë vjen në pushtet regjimi diktatorial i Gjeneralit Francisco Franco, i cili e mori nën kontroll Katalonjën pasi vrau 3500 njerëz.

Katalonja, njëjtë si rajonet tjera separatiste brenda Spanjës, nuk ka gëzuar të drejta deri në miratimin e Kushtetutës së parë demokratike spanjolle në vitin 1978. Kjo kushtetutë sipas të deleguarit katalonas në Ballkan Eric Hauck, do të duhej të niste periudhën e tranzicionit drejt vetëqeverisjes cilësore brenda Spanjës.

“Me baskët, jemi së bashku në kuadër të Kushtetutës së vitit 1978 që ne menduam se ishte vetëm një pikë fillimi, jo fundi, pasi fjala ishte për periudhë tranzicioni, por nuk kishte kurrfarë tranzicioni, pasi që asgjë nuk ndodhi dhe as pas luftës civile nuk kishte proces pajtimi…”, thotë Hauck për Gazetën Express.

Dhe, sikur kjo të mos mjaftonte, Hauck thotë se edhe të drejtat e fituara nga Kushtetuta e vitit ’78 filluan të hiqen nga qeveria dhe gjykatat në Madrid si përpjekje për të rikthyer kontrollin e plotë spanjoll mbi Katalonjën.

Hauck sqaron: “Gjatë 300 vjetëve të fundit e sidomos prej para shtatë vjetëve, kur Kushtetuta jonë e fundit është copëtuar nga Gjykata Kushtetuese në pajtim me qeverinë në Madrid, edhe pse ne kishim respektuar të gjitha rregullat dhe procedurat kushtetuese. Kjo e bëri kthesën kur katalonasit thanë u mbush kupa, u mbush kupa duke na turpëruar, u mbusha kupa duke trajtuar popullatën katalonase sikur të ishin pjesë e një kategorie inferiore. Bile do të shkoja deri aty e të them se kishte raste kur ndjeheshim se trajtoheshim si koloni, sikur Katalonja të ishte pronë e tyre dhe se nuk kishte kurrfarë mundësie që të ndaheshim në asnjë formë. Por, në këtë pikë ka diçka që është shumë e rëndësishme: ne nuk po e ndajmë Spanjën… unë do t’i jepja kontekst pozitiv: të themi që po ndahemi sepse ju nuk po na jepni mundësinë që të vendosim për të ardhmen tonë, por ne po ndahemi që të rikuptojmë njëri tjetrin më mirë në një mënyrë tjetër”.

Kjo ndarje megjithatë u ndalua në momentin e fundit nga presidenti i këtij rajoni Carles Puigdemont, për t’i dhënë mundësi nisjes së negociatave me Madridin. Zyrtarët e Katalonjës e pranojnë se kjo ndonëse përballej me rrezikun e zemërimit të miliona katalonasve që në kushte te jashtëzakonshme votuan pro pavarësisë, ata pranuan të ndalojnë implementimin e pavarësisë pas thirrjeve nga Brukseli që t’i japin edhe një mundësi dialogut.

“Madridi po ankohet se ne po shkojmë ne tavolinën e bisedimeve me pistoletë pasi ne e kemi deklaratën e pavarësisë në kuadër të pakos sonë, por nga ana tjetër policia dhe gjyqtarët (spanjollë) po na shtypin në një formë që s’mund të thuash se s’mund të bësh lëshime. Na hiqni çizmet nga fyti ynë që më pas të paktën të kemi mundësi të shkojmë në tavolinën e negociatave. Ata, për të pranuar negociatat duhet fillimisht të pranojnë problemin. Ata ende nuk e kanë pranuar problemin, bile ende po refuzojnë të pranojnë se janë të paktën 3 milionë njerëz që kanë dalë për të votuar me gjithë vështirësitë dhe rreziqet dhe në fund kanë votuar. Pra ky vullnet i fuqishëm i popullit vazhdon të mohohet”, thotë për Gazetën Express, Eric Hauck.

Ndonëse Hauck e pranon se nisja e dialogut nënkupton rrezik për krijimin e shtetit të pavarur katalonas pasi “është e vërtetë që në negociata, të gjitha palët duhet të bëjnë kompromis”.

Qorrsokaku ku ka mbetur situata momentalisht mund të çojë drejt përshkallëzimit, por për të deleguarin e Barcelonës në Ballkan, katalonasit asnjëherë nuk e mendojnë luftën si opsion për realizimin e aspiratës së tyre për shtet të pavarur.

“Për të pasur një përleshje, duhen dy palë. Ashtu siç e kemi treguar ne, miliona katalonas kanë treguar se ne ulemi në tokë dhe nuk bëjmë gjë. Nuk e di, ndoshta popuj të tjerë në Evropë nuk do reagonin njëjtë. Ne nuk dimë mënyrë tjetër si t’ia bëjmë”, thotë Hauck./Gazeta Express/

    Data: 17 Tetor 2017 13:07
    Autori: Artan M.Haraqija

    Të tjera