Kthehu lart

Intervistë | Hoxha për vizitën në Mal të Zi: S'kam folur me askënd atje për demarkacionin

Intervistë | Hoxha për vizitën në Mal të Zi: S'kam folur me askënd atje për demarkacionin Donika Krasniqi Autori: Donika Krasniqi GazetaExpress

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, nuk e ka diskutuar demarkacionin gjatë vizitës në Podgoricë, edhe pse Kosova dhe Mali i Zi, janë në kontest rreth kësaj teme. Hoxha, në një intervistë për Gazetën Express, nuk i komenton kushtet që i janë vënë Kosovës për të arritur deri te vizat. Thotë se është vonë që të diskutohet për to “Të drejta apo jo këto kushte i janë vënë Kosovës si kushte që duhen plotësuar për liberalizimin e vizave dhe jemi këtu ku jemi”, thekson ajo.

INTERVISTA

GazetaExpress: Ministre, ju të hënën mbrëma jeni kthyer nga Mali i Zi, shtet ky me të cilin kemi nja situatë ende të pazgjidhur, atë të demarkacionit. A mund të na tregoni nëse gjatë vizitës tuaj me homologun malazez keni diskutuar për këtë çështje?

Hoxha: Qëllimi i vizitës sime në Mal të Zi ka qenë pjesëmarrja në shënimin e 10-vjetorit të nënshkrimit të MSA-së mes Malit të Zi dhe BE-së. Me këtë rast kam marrë pjesë si paneliste në dy panele, njëri për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kurse tjetri për rëndësinë e procesit të Berlinit. Me këtë rast kam shprehur përkushtimin e Kosovës për agjendën evropiane dhe kam bërë të qartë që Qeveria është e përkushtuar që të dinamizojë procesin integrues. Çështja e demarkacionit nuk ka qenë objekt i diskutimit në asnjërin nga takimet dhe as jashtë takimeve zyrtare.

GazetaExpress: Një ditë para vizitës tuaj në Mal të Zi, ju nuk e hodhët poshtë mundësinë që ky shtet të pranojë që shënjimi i kufirit me Kosovën të mundë të rinegociohet. A ka gjasa të ndodhë kjo dhe cilat ishin qëndrimet e zyrtarëve atje për këtë kauzë?

Hoxha: Sigurisht e keni fjalën për një intervistë që kam dhënë për një televizion të vendit. Intervista ime është keqinterpretuar dhe është nxjerrë nga konteksti. Unë asnjëherë nuk kam thënë që Mali i Zi qenka i gatshëm për të rinegociuar sepse Ministria e Integrimit Evropian nuk është duke u marrë me çështjen e demarkacionit, sepse e njëjta çështje është në nivel të kryeministrit dhe Qeverisë. Për më tepër unë nuk mund të bëj një deklaratë të tillë sepse nuk është në portofolin e punës sime.

GazetaExpress: Por çfarë realisht mendoni ju për bllokimin që po u bëhet kosovarëve për viza nëpërmjet demarkacionit si kusht thelbësor?

Hoxha: Besoj që tashmë është vonë që të diskutojmë për kushtet e vëna. Të drejta apo jo këto kushte i janë vënë Kosovës si kushte që duhen plotësuar për liberalizimin e vizave dhe jemi këtu ku jemi. Megjithatë, më duhet të ritheksoj që qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të lëvizin të lirë si të gjithë qytetarët e vendeve të tjera, si qytetarë të lirë dhe asnjëherë të mos shihet si rrugë migrimi ilegal.

GazetaExpress: Po mundësinë e pajisjes së kosovarëve me pasaporta të Shqipërisë, si e komentoni? A është, sipas jush, kjo e vetmja zgjidhje dhe sa është e realizueshme kjo kur tashmë qëndrimet e zyrtarëve të lartë atje janë bërë të qarta?

Hoxha: Këtë çështje nuk e kam ngritur unë, as Ministria e Integrimit, andaj nuk mund të them asgjë rreth kësaj.

GazetaExpress: Kur jemi te liberalizimi i vizave, po bëhet gati një dekadë që është premtuar dhënia fund e izolimit të kosovarëve. Derisa as sot nuk kemi një afat të caktuar kohor se kur mund të hiqen ato. 2018-a, a mund të jetë vit i liberalizimit?

Hoxha: Tani për tani nuk mund të flas për afate konkrete, sepse ky është një proces i cili kërkon koordinim dhe ne nuk mund të flasim për afate në këtë fazë. Aq sa varet ky proces nga ne varet edhe nga BE-ja, e cila ka procedurat e veta të brendshme, të cilat, po ashtu, marrin kohë.  

GazetaExpress: Kosova deri më tani ka pasur ngecje në realizimin e kritereve të dala nga MSA. Pse ka ndodhur kjo?

Hoxha: Po, është e vërtetë që kemi pasur ngecje për shkak të vonesave në krijimin e institucioneve, megjithatë Qeveria e re është duke treguar përkushtim dhe me të vërtetë po bëjmë të pamundurën që të zëmë hapin me pjesët e MSA-së që kemi mbetur prapa. MSA-ja është dokumenti kryesor i cili drejton rrugën tonë drejt BE-së dhe si i tillë duhet të jetë prioritet i të gjitha institucioneve. Si dëshmi e përkushtimit të Qeverisë së re është edhe mbledhja e Këshillit Ministror për Integrim Evropian për herë të parë që nga 2013, ku me këtë rast kryeministri u ka kërkuar të gjitha ministrive të punojnë më shpejt sa i përket përmbushjes së obligimeve që dalin nga MSA-ja.

GazetaExpress: Ju keni paralajmëruar se do t'i publikoni emrat e secilës ministri që nuk arrin t’i përmbushë kriteret për MSA-në. A do të thotë kjo se plotësimi i këtyre kritereve tash do të merret më seriozisht?

Hoxha: Sigurisht, qëllimi i deklaratës sime ka qenë që të bëjë me dije se nuk do të tolerohet asnjë neglizhencë në kryerjen e detyrave që dalin nga Agjenda Evropiane e Reformave dhe MSA-ja. E thashë edhe më parë se implementimi i MSA-së është detyra primare e të gjitha institucioneve. Nuk ka prioritet më të rëndësishëm se MSA-ja për Kosovën. Në këtë proces kemi bashkëpunim të ngushtë me kryeministrin për ta çuar procesin e integrimit përpara dhe duke e shtyrë nga nivelet më të larta të institucioneve të vendit.

GazetaExpress: Cilat do të jenë pasojat për Kosovën nëse nuk plotësohen këto?

Hoxha: Ne nuk duhet t’i mendojmë pasojat në këtë fazë, sepse nuk duhet të jetë as opsion mospërmbushja e obligimeve që dalin nga MSA-ja. MSA-ja është kontratë, të cilën e kemi lidhur me BE-në dhe duhet t’i përmbahemi me përpikëri.

    Data: 19 Tetor 2017 11:58
    Autori: Donika Krasniqi

    Të tjera