Kthehu lart

Intervistë| Arban Abrashi: Si Kryetar do të veproj përtej LDK’së, Shpendi është në panik e i shantazhuar nga VV

Intervistë| Arban Abrashi: Si Kryetar do të veproj përtej LDK’së, Shpendi është në panik e i shantazhuar nga VV Donika Krasniqi Autori: Donika Krasniqi GazetaExpress

Është i bindur se më 19 nëntor do të dalë fitues. Madje për këtë është më se i sigurt. Arban Abrashi, kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, në një intervistë për Gazetën Express, flet se më kënd do të bëjë koalicion dhe cila është puna e tij e parë që do ta realizojë si kryetar i Kryeqytetit. Ish- ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ia kujton Shpend Ahmetit, se qytetarët nuk harrojnë që më 2013, ai ka ardhur në pushtet përmes koalicioneve të fshehta. E akuzon këtë të fundit se ka dëshmuar që në mes të Prishtinës dhe Vetëvendosjes, ai ka zgjedhur Vetëvendosjen, interesin elektoral dhe interesat e militantëve të saj.

Arban Abrashi, kandidat për Kryetar të Prishtinës, thotë se si udhëheqës i Kryeqytetit do të veprojë përtej petkut partiak. Këtë thotë se e ka dëshmuar me punë edhe sa ishte Ministër.

Abrashi thekson se gjithë votuesit e partive tjera që votuan për ndryshim votën në balotazh do ta japin atij. Thotë se për dallim prej Shpend Ahmetit që është i shantazhuar e në panikë nga humbja do t’i ketë duart e lira prej partisë për të vepruar.

“Kurse, në të gjitha angazhimet e mia të deritanishme, kam dëshmuar se veproj përtej petkut partiak që mbaj, natyrisht me shumë krenari. LDK-ja nuk është parti e diktateve dhe as e kontrollit. Ashtu siç kam bërë si Ministër, ku kam pasur mbështetjen e plotë të LDK-së për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve të Kosovës, si kryetar i Prishtinës, unë do t’i kem duart e lira të punojë për të gjithë qytetarët”, shprehet Abrashi, në një intervistë për Express. 

Express: z. Abrashi: Kundërkandidati juaj për Prishtinën, Shpend Ahmeti, pranoi  se i ka kërkuar ndihmë AAK-së dhe AKR-së për koalicion në balotazh. Sa i frikësoheni një marrëveshjeje të tillë dhe a besoni që përkrahja e tyre do të jetë për Ahmetin dhe jo për ju?

Abrashi: I kam dëgjuar deklaratat e kundërkandidatit dhe në fakt kam kuptuar panikun e tij nga humbja e tij e sigurt më 19 nëntor.
Mendoj se kryetari në largim i Prishtinës, në raundin e parë, ka marrë maksimumin e votave që mund të merrte. Nuk dua t’u përzihem asnjërës parti apo kandidat të garës së 22 tetorit se si do t’i orientojë votuesit e tij për balotazhin e 19 nëntorit. Por, jam i bindur se asnjë prej votuesve që më 22 tetor kanë votuar kandidatët e tyre të preferuar për kryetar të Prishtinës, por që ata nuk kanë arritur ta vazhdojnë garën e tyre, nuk kanë votë për kryetarin aktual të Prishtinës. 

Më 22 tetor, ata votues kanë votuar për ndryshim të qeverisjes së Prishtinës. Dhe ndryshimin e sjellë unë. Përveç kësaj, nuk besoj se votuesit e Prishtinës, përkrahës të këtyre dy partive politike që ju po i përmendni, do të mashtrohen të votojnë për kryetarin aktual, sepse ai ka demonstruar që nuk i respekton marrëveshjet. Qytetarët nuk harrojnë që në 2013 ai ka ardhur në pushtet përmes koalicioneve të fshehta. 4 vjet qeverisjeje ai nuk ka ditur dhe partia e tij nuk e ka lënë të bashkëpunojë me përfaqësuesit tjerë të qytetarëve të Prishtinës në Kuvendin Komunal. Edhe kësaj radhe do të jetë njejtë. Prandaj, nuk besoj  se qytetarët do të mashtrohen sërish për t’ia dhënë votën Shpend Ahmetit e ai ta vë krejt komunën e Prishtinës në funksion të agjendës politike të Vetëvendosjes, duke anashkaluar dhe dëmtuar interesat e qytetarëve të Prishtinës. 

Express: A keni biseduar ju me njërën nga këto partitë. Nëse po, sa të përafërta i keni qëndrimet për një koalicion të mundshëm në balotazh për Prishtinën?

Abrashi: Besoj se qytetarët e Prishtinës tashmë e kanë kuptuar qasjen time për të lidhur kontratë me ta. Koalicioni im do të jetë koalicion me qytetarët e Prishtinës. Prandaj nuk kam zhvilluar negociata me partitë politike të përfaqësuara tashmë në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Me ta pres të bashkëpunoj si kryetar i Prishtinës, në interes të Prishtinës dhe qytetarëve të saj.

Normalisht unë jam kandidat i LDK-së për kryetar të Prishtinës dhe dua t’i falënderoj votuesit e LDK-së që e kanë mirëpritur kandidaturën time. LDK është rritur edhe në Prishtinë, krahasuar me zgjedhjet e fundit, dhe besoj se balotazhi i 19 nëntorit do ta rikonfirmojë këtë.

Votuesit e partive të tjera, që nuk janë në garë kësaj radhe, unë i ftoj të më mbështesin sepse projektet e mia janë projekte për qytetarët e Prishtinës. Për Prishtinën që ata duan.

Unë besoj se secili votues i Prishtinës, përfshirë këtu edhe votuesit e partive të tjera, pa përjashtuar edhe votuesit e Vetëvendosjes, kanë shumë herë më shumë arsye të më votojnë mua, sesa kundërkandidatin tim. Mjafton të kthehemi pas dhe të analizojmë disa aspekte.

Për 4 vjet, qytetarët e Prishtinës e kanë provuar se kryetari aktual e në largim i Prishtinës, jo vetëm që nuk ka punuar sa duhet, por ka lënë qëllimisht keq punët në Prishtinë për interesa të partisë së tij. Pra, ai ka dëshmuar se mes Prishtinës dhe Vetëvendosjes, ai zgjedhë Vetëvendosjen, interesin elektoral të saj dhe interesat e militantëve të saj. Edhe duke e dëmtuar fizikisht Prishtinën dhe pronën e saj e të qytetarëve të saj.

Kurse, në të gjitha angazhimet e mia të deritanishme, kam dëshmuar se veproj përtej petkut partiak që mbaj, natyrisht me shumë krenari. LDK-ja nuk është parti e diktateve dhe as e kontrollit. Ashtu siç kam bërë si Ministër, ku kam pasur mbështetjen e plotë të LDK-së për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve të Kosovës, si kryetar i Prishtinës, unë do t’i kem duart e lira të punojë për të gjithë qytetarët. Pa asnjë dallim.

Prandaj, jam besimplotë se edhe mbështetjen më 19 nëntor do ta kem përtej LDK-së. Sepse kam dhënë prova dhe garantoj se do t’u shërbej të gjithëve dhe do të punoj vetëm për të mirën e Prishtinës.

Express: Kandidati i AKR’së, Selim Pacolli, doli me rezultat të mirë në këto zgjedhje. Ai tha se është i hapur për koalicion me ju por me disa kushte. Në çfarë kushte do të bashkëpunonit ju me Selim Pacollin?

Abrashi: Unë mendoj se e kam projektin më të mirë për Prishtinën dhe qytetarët e saj. Por, unë nuk jam përjashtues i asnjë ideje a projekti të realizueshëm dhe që i shërben Prishtinës metropolitane. Unë nuk them se do ta bëj Prishtinën vetëm siç them unë. Kështu po thotë kundërkandidati im. Edhe pse unë jam i bindur se ai as ashtu nuk mund të thotë. Sepse për 4 vjet, Prishtinën nuk e ka udhëhequr ai, por partia e tij, komitetet e saj tashmë të famshme.

Për dallim prej tij, projekti im për Prishtinën është ndërtuar edhe bazuar në kërkesat dhe nevojat e qytetarëve. Edhe puna ime si kryetar i Prishtinës do të bazohet në përmbushjen e kërkesave që kanë qytetarët e Prishtinës.

Çdo ide të mirë dhe të realizueshme, pavarësisht prej kujt do të vijë, do ta shqyrtoj me seriozitetin më të madh. Përfshirë edhe idetë e kandidatëve të kësaj gare. Nuk jam përjashtues. Përkundrazi. Do të bashkëpunoj me secilin. Sepse parësore e kam interesin e qytetarëve dhe të Prishtinës.  

Express: Pse qytetarët e Prishtinës duhet të ju votojnë juve dhe jo Shpend Ahmetin?

Abrashi: E vështirë veta e parë njëjës. Por, kërkoj mirëkuptim për shkak se jemi në garë.

Ka shumë arsye, disa prej të cilave i biseduam më herët. Por, ajo që e konsideroj dallim thelbësor mes meje dhe kundërkandidatit tim është fakti se ai mundohet vetëm të flasë bukur, kurse nuk punon fare dhe edhe kur punon, punon keq. Kurse unë punoj shumë, di të punoj mirë dhe di të gjejë gjuhë bashkëpunimi me secilin.

Me mua kryetar, qytetarët e Prishtinës nuk do të shohin në Facebook një Prishtinë tjetër prej asaj që e shohin përditë, ngado që shkojnë. Unë do ta çliroj Prishtinën prej demagogjisë e propagandës. Do t’i përvishem punës për ta bërë Prishtinën kryeqytet. Ashtu siç e duam të gjithë dhe ashtu siç e meriton Prishtina dhe qytetarët e saj.   

Express: Nëse do të kërkonim që ta vlerësonit punën e Shpend Ahmetit nga 0-10 në Prishtinë, cili do të ishte vlerësimi juaj? 

Abrashi: Nuk do të lëshohesha në notim. Por, e sigurt është që ai nuk e kalon klasën. Prandaj, më 19 nëntor, qytetarët e Prishtinës do ta çojnë në shtëpi. Të mësojë se duhet të punoj sinqerisht e jo të bëjë propagandë. Të mësohet të respektojë qytetarët, e të mos i ndajë ata sipas përkatësive politike apo përkatësive tjera.

Të mësohet të mos marr meritat e tjerëve, kurse fajin e vet t’ua vesh të tjerëve. Të mësoj shumë gjëra të tjera. Sepse këto 4 vjet kanë qenë vite të humbura për Prishtinën dhe qytetarët e saj.

Ne nuk kemi kohë për të humbur. Ne duhet të vrapojmë për të kompensuar kohën që na ka humbur.

Express: Cila do të ishte puna e parë që do ta realizonit në Kryeqytet po që se arrini fitoren më 19 nëntor?

Abrashi: Ka shumë punë që duhet bërë. Por, prioritarja mbetet që Komuna t’u kthehet qytetarëve. Unë do t’ia kthej komunën e Prishtinës qytetarëve të Prishtinës. Sepse ata për këto 4 vjet janë diskriminar.

Punët tjera janë pjesë e projektit tim për qeverisjen e Prishtinës. Të cilat jam i bindur se do të realizohen.

GazetaExpress: Keni thënë se nëse e fitoni Prishtinën do të bashkëpunoni edhe me Vetëvendosjen. Por të kujtojmë se ky subjekt në asamblenë komunale të Prishtinës e ka shumicën. Kjo do të ndikojë edhe në vendimmarrjen tuaj, a frikësoheni se mund të ua bllokojnë projektet në mosvotimin e tyre në asamble?

Abrashi: Është e sigurt që unë do të fitoj. Po ashtu është e sigurt që Vetëvendosje nuk do të mund ta bllokojë Kuvendin Komunal të Prishtinës. Vetëvendosje nuk e ka shumicën në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Por, edhe sikur ta kishte, nuk do të më pengonte të bashkëpunoja edhe me ta.

LDK është e përfaqësuar mirë në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Dhe LDK nuk është sikur Vetëvendosje. LDK-ja është e gatshme për bashkëpunim dhe i respekton marrëveshjet.

Unë do të zgjedhem kryetar në koalicion me qytetarët, kurse qeverinë do ta ndërtoj me përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve të Prishtinës.

Express: Çka mendoni se do ta vendosë fitoren, koalicionet, apo dalja më e madhe e qytetarëve në votime?

Abrashi: Unë jam i bindur se do të jem fitues i zgjedhjeve në Prishtinë. Dhe jam i bindur se zgjedhjet do t’i fitoj për shkak të qytetarëve të Prishtinës. Prandaj, i ftoj të dalin në zgjedhje sa më shumë. Që ta bëjmë ndryshimin, ta lëmë prapa izolimin dhe ta zhvillojmë Prishtinën metropolitane.  

Express: Si mendoni t’i bindni qytetarët e pavendosur të dalin në zgjedhje dhe të votojnë për ju?

Abrashi: Së pari, më duhet të them se unë i kuptoj disa prej arsyeve të abstenimit të tyre. Secilit prej tyre mund t’i them me përgjegjësi të plotë se nëse votojnë për mua, do të gjejnë zgjidhje për kërkesat që edhe ata kanë. Sepse votimi për mua nuk është përcaktim për parti. Unë jam i lirë nga partia që më ka kandiduar dhe që më ka mbështetur e më mbështetë, të jem kryetar i të gjithë qytetarëve të komunës së Prishtinës. E jo sikur kundërkandidati im që për 4 vjet ka qenë kryetar i anëtarësisë, aktivistëve e militantëve të Vetëvendosjes nga të gjitha vendet tjera, përveç Prishtinës. 

Express: A do të bashkëpunonit me PDK’në, a mendoni se do t’i japin votat për ju. Lirak Çelaj tashmë ka thënë se personalisht preferon që votat e PDK’së t’ju shkojnë juve?

Abrashi: Siç biseduam më herët, unë jam përcaktuar për koalicion me qytetarët. Të njëjtin qëndrim ka edhe LDK-ja. Ne po punojmë fort dhe bashkërisht që t’i bindim qytetarët e Prishtinës se zgjedhja ime kryetar i Prishtinës nuk do të jetë humbje për askë, por fitore për të gjithë.

Së këndejmi, ekipi im dhe unë do të mundohemi të bindim sa më shumë qytetarë të Prishtinës, shumë prej të cilëve janë edhe votues të partive tjera, që kësaj radhe të më votojnë mua për kryetar.

Qytetarët e Prishtinës janë bombarduar dhe do të bombarohen këto ditë nga lloj-lloj teorish konspiracioni. Sepse përballë kam një makineri propaganduese.

Por, ajo që do të ndodh është kjo. Zgjedhjet do t’i fitoj me qytetarët, që po e shoh përditë e më shumë se janë të gatshëm për ndryshimin e qeverisjes së Prishtinës. Kurse, Prishtinën do ta qeverisi me program dhe koalicion parimor e programor.

    Temat:
    Data: 28 Tetor 2017 11:54
    Autori: Donika Krasniqi

    Të tjera