Kthehu lart

E majta kosovare në 200 vjetorin e Marksit

E majta kosovare në 200 vjetorin e Marksit GazetaExpress

Intervistë me Blerim Latifin, profesor i filozofisë politike në Universitetin e Prishtinës

Sot është 200 vjetori i lindjes së Karl Marksit, filozofit të famshëm gjerman, emri dhe idetë e të cilit zënë një vend qëndror në debatin e madh ideologjik botëror nga gjysma e dytë e shekullit XIX dhe përgjatë gjithë shekullit XX. çfarë kuptimi kanë sot për botën bashëkohore Marksi dhe idetë e tij?

Latifi: Me aq sa pashë në media ky përvjetor nuk ka nxitur ndonjë vëmendje të rëndësishme për Marksin. Dy ngjarjet kryesore të organizuara për shënimin të këtij përvjetori ishin ngritja e një shtatoreje të Marksit në qytetin e tij të lindjes, në Trier të Gjermanisë, dhe një mbledhje e qeverisë kineze, në të cilën u vlerësua lart ndikimi i filozofisë së Marksit në rrjedhat e historisë moderne. Natyrisht, qytetarët e Trierit janë nisur nga  ideja për të nderuar bashkëqytetarin e tyre, falë të cilit qyteti i tyre është bërë i famshëm, ndërsa Partia Komuniste Kineze kuptohet që i ka bërë jehonë këtij përvjetori për shkak se kjo parti, që ka pushtetin në Kinë, ende formalisht e konsideron Kinën si vend komunist të bazuar në teoritë marksiste, çfarë në fakt nuk qëndron fare. Kina sot nominalisht është vend komunist, politikisht është vend autoritar dhe ekonomikisht vend kapitalist. Çfarë paraqet sot Marksizmi? Së pari një kapitull të rëndësishëm në historinë intelektuale të njerëzimit dhe atë që quhet histori e filozofisë. Së dyti, marksizmi përbën një faktor të rëndësishëm në rrjedhat e historisë politike dhe ideologjike të shekullit fundit, por që tani është vetëm histori e përfunduar. Së treti, marksizmi si dogmë filozofike dhe projekt politik gjithsesi që ka marrë fund.

Së katërti, nëse sot ka diçka brenda marksizmit që ende mund të merret seriozisht është marksizmi i kuptuar si metodë e analizës sociale. Në terma medicinal kjo do të thotë se shoqërisë bashkëkohore ende ka hapësirë për t’i bërë një diagnozë marksiste, por jo edhe për t’i dhënë receta marksiste për problemet e saj.

Çfarë do të thotë sot të jeshë marksist?
Latifi: Varet se nga cili rrafsh bëhet deklarimi i të qenit marksist. Nëse deklarohesh marksist në çështjet e analizës sociologjike, e pse jo edhe analizës ekonomike, kjo përbën një pozicion  relevant në debatin akademik mbi interpretimin e shoqërisë bashkëkohore. Nëse deklarohesh marksist në praktikën politike kjo tregon se ke marrë një pozicion anakronik, për arsyen e qartë se komunizmi si ideologji dhe si alternativë politike dhe ekonomike ka dalë jashtë lojës së realitetit politik për shkak të defekteve të tij dhe nuk shihet askund asnjë shenjë se ka gjasa që të kthehet sërisht në lojë. Kur u shfaq kriza financiare globale pas vitit 2008, nga shumë kush, u paralajmërua edhe ringjallja e marksizmit dhe e të majtës në përgjithësi. Nëpër librari u shfaqen sërish tekstet e Marksit dhe nostalgjikët e komunizmit filluan të përgaditën për dramën e re revolucionare që po vinte. Filluan të dëgjohen edhe zërat e marksistëve të fundit, të cilët janë duke i kaluar vitet e pleqërisë në shtëpitë e pleqve të Perëndimit, por në fund, dhe shpejt, erdhi zhgënjimi. Kriza e 2008 nuk nxiti ringjalljen e të majtës, por ngritjen e populizmit të djathtë, ngritje e cila ende është duke vazhduar. Gjithkund e majta është në defanzivë, e dezorientuar dhe pa ide, kryesisht e brengosur për shkurtimet e benefiteve të shtetit social, si pasojë e krizës. Kjo i jep të drejtë filozofit gjerman Jan Werner Muller i cili thotë se marksizmi si gjuhë e protestës dhe kundërshtimit ka marrë fund. Sot, ata që protestojnë, që shprehin mllef ose urrejtje përdorin gjuhë tjetër, të tjerë terma dhe të tjera mite. Mendimtari francez Pierre-Andre Taguieff, para disa vitesh, pat thënë se marksizmi ka qenë islami i shekullit XX, ndërsa islami është marksizmi i shekullit XXI. Ideja e tij është se nëse dje ishte marksizmi ai që artikulonte zemërimin e njerëzve nëpër botë, sot këtë punë është duke e bërë islami radikal. Me gjasë nuk ka të drejtë në këtë parashikim.  Islami radikal është tepër arkaik për të prodhuar alternativë reale ndaj botës bashkëkohore dhe këtë më se miri është duke e kuptuar Princi i  Kurorës Mbretërore në Arabinë Saudite, Muhamed Bin Salman, që së fundi ka filluar një kurs serioz të reformave moderne në shtetin e tij, në kundërshtim të plotë me ideologjinë salafiste, e cila është frymëzuesi kryesor i terrorizmit të sotëm.

Ju thatë se e majta sot është në defanzivë, e dezorientuar dhe pa ide, por, ndërkaq, kur vjen puna tek ne duket se kemi një ringjallje të ideve politike të majta. Aktualisht në Kuvendin e Kosovës kemi tri parti që deklarohen parti të majta, Lëvizjen Vetëvendosje!, Nismën Socialdemokratike të Limajt dhe grupin e deputetëve të pavarur që tani janë duke u bashkuar me Partinë Socialdemokrate të Kaqusha Jasharit.

Latifi: Raymond Aron e thotë një gjë esenciale për partitë politike. Ato duhet t’i gjykojmë nga ajo që bëjnë, jo nga ajo që thonë. Vetëvendosje më veprimet e saj dallon si nata me ditën nga Socialdemokracia. Socialdemokracia, minimalisht, do të thotë ta respektosh parlamentarizmin e jo ta dhunosh atë. Socialdemokraci do të thotë gjuhë e kompromisit e konsensusit, e jo ekskluzivizëm dogmatik, i cili është mosgadishmëria e plotë për të pranuar dialogun dhe marrëveshjen me kundërshtarin. Sa i përket Grupit të Deputetëve të Pavarur ata kanë kanë bërë një Deklaratë të Parimeve, e cila me sa duket është shkruar nën efektin e leximit të ndonjë broshure teorike të socialdemokracisë, ndërsa kur është fjala për Nismën Socialdemokratike të Limajt nuk besoj se përveç Jakup Krasniqit dhe Bilall Sherifit dikush tjetër aty i merr serozisht parimet ideologjike të socialdemokracisë. Por ky nuk është problemi themelor me sociademokracinë në Kosovë. Socialdemokracia presupozon kapitalizmin e zhvilluar, detyrimin e tij për të qenë solidar me ata që i ka përjashtuar logjika e tij e tregut. Ky solidaritet arrihet rëndom përmes politikave të taksave dhe programeve mirëqenies sociale, por si ja bën në situatat kur nuk ke kapitalizëm të zhvilluar, kur nuk ke rritje ekonomike dhe punëdhënësi kryesor është shteti me burokracinë e tij. Nuk ka socialdemokraci aty ku të gjithë janë të varfër, ndërsa bizneseve të pakta të mëdha u varet profiti nga lidhjet me qeverinë. Situata në Kosovë është pak a shumë e tillë. Pa u zhvilluar ekonomia, pa pasur rritje ekonomike, shumë herë më të madhe se kjo që kemi sot, nuk mund të ketë hapësirë për socialdemokraci reale në Kosovë. Mund të ketë vetëm fjalë të bukura, që gjithsesi mbesin boshe në fund të ditës.

Sipas jush kjo do të thotë se ne jemi të detyruar të ndjekim një kurs politik të djathtë.
Latifi: Këtë kurs e kanë vendosur në Kosovës vendet perëndimore menjëherë pas luftës. Partitë politike në Kosovë e kanë pranuar këtë gjë, përjashto Vetëvendosjen, e cila ka tentuar ta ndryshoj këtë kurs por pa sukses. Nga kjo pikëpamje të gjitha këto parti janë të djathta, përjashto Vetëvendosjen.

Në fakt PDK-ja në fillim kur u themelua kishte shfaqur orientim të majtë, marrë parasysh edhe faktin se shumica e themeluesve të saj ishin pjesë e LPK-së, një lëvizje e kohës së ilegalitetit, në të cilën predominonte një frymë majtiste.

Latifi: Po kjo është e vërtetë, por gradualisht PDK-ja e ka lëvizur nga e majta drejt të djathtës. Shikoni një situatë interesante : momenti kur ngrihet Vetëvendosja është momenti kur PDK-ja e ka braktisur frymën e LPK-së. Kjo frymë e braktisur përvetësohet nga Vetëvendosja, e cila kësisoj bëhet një lloj imitimi i LPK-së në kushtet e pasluftës. Nuk është e rastit që lpkistët e larguar nga PDK-ja pothuajse të gjithë kanë përfunduar në Vetëvendosje.

Në kohën kur PDK-ja bëri ndryshimin ideologjik nga parti e majtë në parti të djathtë ajo doli me slloganin e famshëm “Familja, Prona, Shteti”, për të shprehur si duket idenë e këtij ndryshimi.

Latifi: Ai sllogan ka qenë katastrofal!

Pse?

Latifi: Në një vend ku idetë konservatore britantike nuk i kupton pothuajse askush, një sllogan i tillë i ka të gjitha gjasat që të kuptohet në mënyrë abuzive si një thirrje që shteti të përdoret për interesat e familjes tënde dhe pasurimin vetjak. Konsideroj se PDK-ja ja ka parë sherrin këtij sllogani. Poashtu besoj se leksioni përkatës nga ky gabim është marrë dhe tani ekziston mundësia të ndërtohet një identitet serioz i djathtë i PDK-së nën drejtimin e kryetarit Veseli.

    Data: 05 Maj 2018 17:20
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera