Kthehu lart

Deputeti i LDK'së: Thaçi përgjegjës për gylenistët, AKI është jashtë çdo kontrolli

Deputeti i LDK'së: Thaçi përgjegjës për gylenistët, AKI është jashtë çdo kontrolli Donika Krasniqi Autori: Donika Krasniqi GazetaExpress

Anton Quni nuk po beson në deklarimin e presidentit Thaçi, se nuk ka qenë në dijeni për për kidnapimin që iu bë javën e kaluar gjashtë gylenistëve dhe deportimin e tyre në Turqi. Për deputetin e LDK’së, Agjencia Kosovare e Inteligjencës pas rastit të fundit, ka dalë jashtë kontrollit. Shkarkimet nuk mjaftojnë, thotë Quni, duke kujtuar lirimin nga detyra të Flamur Sefajt dhe Driton Gashit. Në një intervistë për Gazetën Express, ai flet edhe për nismën e LDK’së që vendi shpejt të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

GazetaExpress: Z. Quni, javën e kaluar pamë një kidnapim të gjashtë shtetasve turq dhe deportimin e tyre në Turqi. U tha se AKI-ja ka vlerësuar se të njëjtit paraqesin rrezik për sigurinë. Ju jeni edhe pjesë e komisionit që mibëkqyrë këtë institucion. Si e vlerësoni gjithë situatën që ndodhi me gylenistët?

Quni: Kjo situatë e zhvilluar nxori në sipërfaqe shume dobësi politike, institucionale, ligjore dhe morale karshi autoritetit të z. Thaqi si President i Kosovës. Nga kjo situatë kuptojmë se sa të pambrojtur janë të gjithë qytetarët e vendit nga një person, i cili nën petkun e pushtetit bën çfarë e si të do ai. Ai në çdo kohë dhe situatë po i keqpërdor institucionet shtetërore për agjendat e tij personale.

GazetaExpress: A ka raportuar AKI’ja në komisionin tuaj?

Quni: Përkundër dy ftesave nga ana e Komisionit të AKI-së për të raportuar në lidhje me deportimin e qytetarëve turq, autoritetet e këtij institucione me rëndësi nacionale nuk kanë dënjuar që të përgjigjen. Për momentin AKI-ja është jashtë çdo kontrolli dhe mbikëqyrje parlamentare dhe kjo mendoj që paraqet rrezik serioz për sigurinë e përgjithshme.

GazetaExpress: Krerët e shtetit u deklaruan se nuk kishin qenë në dijeni për këtë aksion. A i lejohet AKI’së të bëjë veprime te tilla krye në vete?

Quni: Në Ligjin për AKIn, në nenin 2, pika 2.5, qëndron kështu: AKI-ja respekton parimet e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventës Ndërkombetare për të Drejtat Civile dhe Politike, Konventes Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, dhe parimet tjera relevante të pasqyruara në instrumentet ligjore të njohura ndërkombëtarisht dhe kryen aktivitetet e veta në pajtueshmëri me to.

Pra, me aksionin e fundit del që asnjëra nga këto nuk janë respektuar e për me tepër as nuk ka pasur koordinim me autoritetet përgjegjëse, edhe pse unë nuk mund të besoj që për këtë aksion nuk ka ditur gjë të paktën i pari i vendit. Sidoqoftë, mbetet të hetohet ky rast skandaloz deri në detaje dhe secili person përgjegjës të ndëshkohet për veprimet që rrezikojnë sigurinë dhe të ardhmen e shtetit tonë. Dorëheqjet nuk mjaftojnë, por duhet ndëshkuar akterët urdhërdhënës.

Gazeta Express: Presidenti fillimisht tha se nuk ishte në dijeni për aksionin, më vonë e arsyetoi arrestimin dhe dorëzimin e gylenistëve. Pas kësaj Erdogan e falënderoi dhe e zbuloi se Thaçi ka bashkëpunuar. Sipas jush, a duhet të japë llogari për këto deportime?

Quni: Në çdo shtet i cili është i ngritur mbi vlerat nacionale, me demokraci të mirëfilltë, ku sundojnë rendi dhe ligji, në raste të tilla presidenti do të tërhiqej dhe do të shprehte gatishmërinë për të qenë në dispozicion të organeve të drejtësisë. Në të kundërtën do të përballej me një revoltë të fuqishme të qytetarëve. Është e pa kuptimtë që ky president të vazhdon edhe më tutje të mbetet në krye të vendit.

GazetaExpress: LDK të mërkurën i mblodhi kryetarët e degëve për të diskutuar rreth zgjedhjeve të parakohshme. Besoni se nisma juaj do të rezultojë në rrëzimin e Qeverisë Haradinaj?

Quni: Ne tani ju kemi bërë thirrje te gjitha partive politike parlamentare për tryezë të partive, nga ku do te dakordohemi rreth datës se zgjedhjeve te parakohshme. Presim që të na përgjigjen pozitivisht pasi nuk ka kuptim që vendi të mbetet peng i aventurave të tre aventurierëve që interesin personal e kanë vënë mbi atë të përgjithshmin.

GazetaExpress: Ditë më parë Kryeministri Haradinaj ironizoi me qëllimin tuaj për zgjedhje të reja. Tha se nëse kjo ndodh, ai do t’i japë edhe votat e partisë së tij. Si e vlerësoni këtë?

Quni: Ai edhe mund të provoj të ironizoj, por, është më së e qartë që kjo qeveri e ka humbur shumicën e nevojshme dhe si e tillë nuk e ka kredibilitetin për të vazhduar me agjendën shtetërore. Kjo qeveri do të bie shumë shpejt edhe pa ndihmën e partive në koalicion.

Gazeta Express: Po flitet për agjenda të fshehura të presidentit Hashim Thaçi me atë të Serbisë, Alesander Vucic për ndarje të territorit të Kosovës. Keni informata për një gjë të tillë?

Quni: Jo, nuk kam informata të tjera pos atyre që kam lexuar në medie. Por, bazuar në përvojat e mëhershme del që, z. Thaqi, në cilindo rol, është i prirur të bëjë marrëveshje dhe të ndërmerr veprime larg syve të opinionit, pa llogaridhënje dhe transparencë ndaj institucioneve demokratike. Me një fjale në kurriz të Kosovës ai kurrë nuk ka hezituar të bëjë kompromise nga të cilat përfiton personalisht.

GazetaExpress: Si po funskionon LDK’ja, pa praninë e liderit të saj, Isa Mustafës?

Quni: Mos prania e Kryetarit të LDK-së, z. Isa Mustafa është mungesë për të funksionuar me kapacitete të plota. Por falë funksionalitetit të strukturës së LDK-së, bashkëpunimit të mire të brendshëm, kulturës së punës dhe entuziazmit në përgjithësi, ne po i përmbushim të gjitha objektivat. Uroj që Kryetari të kthehet së shpejti, sepse, prania e tij është më së e nevojshme, jo vetëm për LDK-në, por, edhe për proceset dhe sfidat nëpër të cilat po kalon vendi ynë./GazetaExpress

    Data: 06 Prill 2018 18:00
    Autori: Donika Krasniqi

    Të tjera