Kthehu lart

Deputeti i AAK’së: S’ka zgjedhje - Pacolli si Nostradamusi - LDK po kërkon liderin e ri

Deputeti i AAK’së: S’ka zgjedhje - Pacolli si Nostradamusi - LDK po kërkon liderin e ri GazetaExpress

Deputeti i AAK’së, Muharrem Nitaj është tallur me parashikimet e Zëvendësit të Ramush Haradinajt në Qeveri, Behgjet Pacollin se vitin e ardhshëm do të ketë zgjedhje.

Ka thënë se lideri i AKR’së ka hyrë në fushën e Nostradamusit, parashikues francez i shekullit të XVI.

Sipas tij, zgjedhjet mund të ndodhin edhe pas katër vitesh, por se duhesh të jesh i ‘mbërrimë’ t’ia qëllosh saktë datën se kur kosovarët do të shkojnë te kutitë e votimeve.

Sidoqoftë, njëri prej zyrtarëve të lartë të AAK’së, ka komentuar edhe kërkesën e LDK’së për zgjedhje të reja. Ka thënë se Partia e Isa Mustafës është e preokupuar me gjetjen e një lideri të ri derisa Partia e Albin Kurtit po përballet ende me ndarjen.

“..zgjedhjet nuk janë reale”, ka thënë Nitaj, për Express, të shtunën, në një intervistë, të cilën të plotë mund ta lexoni më poshtë.

Muharrem Nitaj
Muharrem Nitaj

Çka është duke ndodhur me Qeverinë e cila ka vetëm 52 vota në Parlament?

Nitaj: Unë vlerësoj se Qeveria është duke kryer punët e saj, pavarësisht se formalisht ka më pak vota se sa do të duhej. Ju kujtoj se Qeveria është duke kaluar ligje edhe me dy të tretat e votave dhe ka një klimë bukur bashkëpunuese në Kuvend. Kjo një dhe e dyta, nuk është shumë e qartë nëse Qeveria i ka 52 vota, siç është formalisht, apo 62. Unë vlerësoj se Lista serbe ende është pjesë e Qeverisë.

Pse dolën dy platforma nga partitë në pushtet dhe nuk pati një të unifikuar?

Nitaj: Kam përshypjen që platformat nuk janë e njejta gjë. Ka një platformë qeverisëse dhe një platformë të paraqituar nga Kryetari Veseli për një koncensus politik e partiak për 5 tema nacionale. Që të dy këto platforma janë të dakorduara.

Po bëhet garë ndërmjet Veselit e Haradianjt?

Nitaj: Nuk e besoj që po bëhet kurrfarë gare ndërmjet Veselit e Haradinajt. Ata janë më bashkëpunues e më korrekt me njeri tjetrin, se askush më parë. Veprimet janë të dakorduara deri në detaje dhe është më se e dukshme një klimë e atmosferë bashkëpunimi.

A po shmangen zgjedhjet e reja me këto platfroma?

Nitaj: Zgjedhjet janë mesele në vete. Nuk pengohen as nuk përshpejtohen. Kur plotësohen kushtet për zgjedhje, ato ndodhin vetvetiu. Ju e keni rastin e Qeverisë së shkuar. LDK nuk ka besuar deri në ditën që është votuar kundër Qeverisë Mustafa, se vendi po shkonte në zgjedhje.Edhe tani, kur ekzistojnë votat dhe përcaktimi, ndodhin zgjedhjet. Por në situatën çfarë e kemi, nuk ka as vota as përcaktim për zgjedhje.Në situatën kur VV është e ndarë në dysh, kur LDK është në kërkim të liderit që do ta pasojë zotin Mustafa, dhe në PDK-në e AAK-në, në Qeveri, zgjedhjet nuk janë reale.

A është e gatshme AAK të shkohet në zgjedhje?

Nitaj: Siç e thashë kjo nuk është çështje e gatishmërisë. Çdo parti politike, kur ndodhin zgjedhjet, nuk ka zgjidhje tjetër, por të perballet me to. Edhe AAK është aty kurdo që vijnë zgjedhjet.

Zëvendeskryeministri i  Pare tha se vitin e ardhshëm do të ketë zgjedhje. Shihni ju mundesinë që të ketë zgjedhje më 2019?

Nitaj: Këto parashikime janë në sferën e “Nostradamusit”! Duhet me qenë tepër i “mbrrimë” që të parashikosh se kur do të ketë zgjedhje. Ato mund të ndodhin edhe vitin e ardhshëm, edhe pas katër vjetësh. Kush e di!

    Data: 29 Prill 2018 16:10
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera