Kthehu lart

Bekim Çollaku: SHBA’ja të përfshihet në dialogun me Serbinë, Ekipin e udhëheq Presidenti

Bekim Çollaku: SHBA’ja të përfshihet në dialogun me Serbinë, Ekipin e udhëheq Presidenti © Gazeta ExpressFoto: Rudina Hoti GazetaExpress

Së pari themelohen institucionet pastaj Ekipi i Unitetit për të dialoguar me Serbinë. Udhëheqës i tij do të jetë Presidenti. Në këtë fazë, BE mbetet lehtësues dhe ndërmjetësues. Por, Kosova ka kërkuar përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces. Finalja e këtij procesi është njohja e Kosovës nga ana e Serbisë. Shefi i Stafit në Zyrën e Presidentit Thaçi. Bekim Çollaku flet për Express.

Express: Kur do të themelohet Ekipi i Unitetit për të dialoguar me Serbinë?
Bekim Çollaku: E rëndësishme është që Presidenti tashmë ka paralajmëruar publikisht qëllimin e tij për formimin e  grupit të unitetit për t’u bërë pjesë e procesit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në këtë faze përfundimtare. Natyrisht, se pari duhet te themelohen institucionet e reja dhe pastaj menjëherë do te pasojnë veprimet konkrete për themelimin e grupit te unitetit.

Express: Nga kush do të përbëhet Ekipi i Unitetit dhe kush do të jetë udhëheqës?
Bekim Çollaku: Tani, kjo çështje është qartë që negociatat e ndërmjetësuara nga BE zhvillohen në nivelin më të lartë, pra në nivel të presidentëve. Në anën tjetër, Kushtetuta e Kosovës përcakton qartë se i pari i shtetit është presidenti dhe ai përfaqëson unitetin e qytetareve. Prandaj, është e natyrshme të thuhet se Presidenti do të udhëheqë punën e grupit të unitetit, ku secili anëtar do të mund të japë kontributin e tij apo te saj.

... është e natyrshme të thuhet se Presidenti do të udhëheqë punën e grupit të unitetit, ku secili anëtar do të mund të japë kontributin e tij apo te saj

Express: A do të përshihen edhe SHBA dhe Rusia në dialogun Kosovë-Serbi pasi deri më tash SHBA ka qenë vetëm lehtësuese?

Bekim Çollaku: Për momentin asgjë nuk ka ndryshuar sa i përket rolit ndërmjetësues apo lehtësues. Pra, vazhdon të mbetet BE-ja, ajo që e lehtëson këtë proces. Mirëpo, ne kemi kërkuar që në këtë fazë të ndjeshme përfundimtare të përfshihen në mënyrë direkte edhe SHBA-ja. Se a do të ndodhë kështu, mbetet të shihet në vazhdim të procesit. Ndërsa, nuk mund të paragjykojmë përfshirjen apo mospërfshirjen e Rusisë apo të ndonjë shteti  tjetër në këtë proces. Kjo në masë të madhe do të varet nga rëndësia dhe implikimet e këtij procesi në arenën ndërkombëtare.

...ne kemi kërkuar që në këtë fazë të ndjeshme përfundimtare të përfshihen në mënyrë direkte edhe SHBA-ja. Se a do të ndodhë kështu, mbetet të shihet në vazhdim të procesit.

Express: Cilat tema do të diskutohen me Serbinë dhe a parashihet nënshkrimi i një Traktati në fund të dialogut ndërmjet dy shteteve?

Bekim Çollaku: Kjo është faza përfundimtare e këtij procesi dhe determinuese për të vendosur për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nëse kjo do të jetë e mundur apo jo, është shumë herët të spekulohet. Por, një gjë është e qartë: normalizimi i plotë nënkupton njohjen e Kosovës nga Serbia. Njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia është një kafshatë shumë e madhe e hidhur e cila duhet të gëlltitet nga Serbia. Ndoshta, Serbia edhe do të mund të bëjë një gjë të tillë, mirëpo, është e sigurt se do të kërkojë që edhe Kosova të gëlltisë një pjesë të hidhur për t’u arritur marrëveshje historike për normalizim e pajtim. Kjo është tema thelbësore, ndërsa, çdo çështje tjetër që do të mund të diskutohet, do të futet në korniza të kësaj marrëveshje përfundimtare. Procesi përpara është i vështirë dhe mjaft i komplikuar. Mirëpo, paraqet një mundësi si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë për të arritur paqen e qëndrueshme. Prandaj, palët duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur që të mos ta humbasin këtë mundësi historike.

 ... një gjë është e qartë: normalizimi i plotë nënkupton njohjen e Kosovës nga Serbia. Njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia është një kafshatë shumë e madhe e hidhur e cila duhet të gëlltitet nga Serbia
    Data: 02 Shtator 2017 16:15
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera